RTSH 24 Live

Sociale

Dhuna ndaj grave, Pepa: Çdo gjë nis nga ndërgjegjësimi dhe edukimi

08/05/2024

Dhuna ndaj grave, Pepa: Çdo gjë nis nga ndërgjegjësimi dhe edukimi

E ftuar në studion e RTSh 24, Ejnxhi Pepa nga Qendra e Këshillimit për Gra dhe Vajza tha se çdo gjë nis nga ndërgjegjësimi dhe edukimi për femrat ashtu dhe për meshkujt të cilët edukohen që në vegjëli në mënyrë që të mbrohen nga një marrëdhënie dhunshme të nesërmen.

E gjitha ka të bëjë me ndërgjegjësimin dhe edukimin dhe prandaj synojmë dhe i mëshojmë këtij fakti që gratë dhe vajzat, por edhe burrat dhe djemtë duhet të edukohen që në vegjëli, edukimi duhet të filloj që në shkollë. Gratë dhe vajzat duhet të fuqizohen në mënyrë që të jenë të zonjat e vetes, nesër-pasnesër të mbrohen nga një marrëdhënie që nuk i shërben, një marrëdhënie toksike apo të dhunshme mos të ndiejnë frikë, as turp dhe as ndrojtje që ta nisnin jetën të vetme”, tha Ejnxhi Pepa.

E pyetur nga gazetarja Matilda Mcini se çfarë ndodh me femrat që largohen nga një bashkëshort i dhunshëm për t'u drejtuar tek strehëzat dhe si funksionojnë ato, Ejnxhi Pepa u shpreh se strehëzat janë të fshehta dhe të sigurta të cilat ruhen me oficer policie.

Strehëzat janë absolutisht të fshehta dhe janë të sigurta dhe ruhen edhe nga oficer policie, të gjitha gratë që shoqërohen në strehëza shoqërohen nga një oficer policie. Brenda tyre ka gjithmonë njerëz që bëjnë të mundur mbrojtjen e grave dhe vajzave që janë viktima të dhunës. Kemi strehëza që janë nga shteti dhe kemi strehëza të cilat operohen nga organizata e shoqërisë civile”, tha Pepa.

Gjithashtu Ejnxhi Pepa u shpreh se roli i sociologëve apo psikologëve është shumë i rëndësishëm në mënyrë që të jetë e mundur identifikimi i rasteve për ti kaluar ato në instancat përkatëse.

Duhet fuqizuar roli i tyre jo vetëm në shkolla por edhe në qendrat shëndetësore ku të gjitha gratë dhe vajzat shkojnë në një qendër shëndetësore për një arsye, mjekët, sociologët apo psikologët që ndodhen në këto qendra duhet të jenë të trajnuar dhe të ndjeshëm ndaj dhunës së gruas, duhet të dinë si ti identifikojnë këto shenja dhe ti referojnë rastet në institucionet e tjera përkatëse”, u shpreh Pepa.

/rtsh.al/