RTSH 24 Live

Kronika

Aksioni i SPAK në 3 qytete/ Nano dhe Kraja: 18 të arrestuar, u goditën 8 grupe kriminale!

19/05/2022

Aksioni i SPAK në 3 qytete/ Nano dhe Kraja: 18 të arrestuar, u goditën 8 grupe kriminale!

Kreu i SPAK, Arben Kraja, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Gledis Nano dhe përfaqësuesja e Prokurorisë së Posaçme në një konferencë për media, kanë zbardhur detaje nga aksioni i SPAK i shtrirë në 3 qytete, për personazhet e botës së krimit, që kulmoi me ekzekutimin e 18 arrestimeve.  Arben  Kraja bëri me dije se SPAK ka goditur 8 grupe kriminale, tre grupe në Tiranë, një grup në Durrës dhe 4 grupe në Elbasan, ndërsa bëri me dije se janë lëshuar 32 urdhër-arreste. Hetimi sipas Krajës, nxori në pah se grupet kriminale ishin në gjendje të paguanin shuma të mëdha parash për vrasjen e personave të cilët ata i konsideronin si kundërshtare. Në operacion u përfshinë forcat speciale RENEA, FNSH, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtoria Kundër Krimeve ndaj Personit e Pasurisë, Drejtoria Hetimore, si dhe Drejtoritë Vendore të qarqeve që përmenda. 

“Hetimet e kryera për këto ngjarje kriminale kanë evidentuar ekzistencën e 8 grupeve të strukturuara kriminale të cilët kanë shtrirje gjeografike kryesisht në qytetet e Tiranës. Durrësit dhe Elbasanit. Në Elbasan 4 grupe, në Durrës një grup dhe në Tiranë 3 grupe. Këta  grupe kriminale janë dedikuar në veprat penale në dem të jetës dhe shëndetit si edhe në drejtim te pasurisë. Ajo që është karakteristikë për këta grupe kriminale është dhuna e egër e treguar në kryerjen e krimeve, si dhe pasojat shumë të rënda të ardhura nga kjo veprimtari kriminale. Pjesëtare të një grupi kriminal në raste të ndryshme bashkëpunojnë me grupe të cilët janë kundërshtarë të njëri- tjetrit. Hetimi ka nxjerrë në pah se grupet kriminale ishin në gjendje të paguanin shuma te mëdha parash për vrasjen e personave të cilët ata i konsideronin si kundërshtare. Mënyra e kryerjes së veprave penale tregon për një shkallë shumë të lartë organizimi dhe në këtë mënyrë edhe shkallë shumë të larte rrezikshmërie shoqërore.”, tha Kraja.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano zbardhi para mediave emrat e 18 të arrestuarve, ku nëntë prej tyre u kapën gjatë operacionit, ndërsa për nëntë të tjerët, masat e sigurisë u ekzekutuan në disa IEVP, sepse këta shtetas janë arrestuar më parë, për vepra të ndryshme penale.

“Nuredin Dumani, Henrik Hoxha, Ardian Uzuni, Altin Ndoci, Skerdi Tasi, Leonard Palushi, Fatos Gosa, Erion Alibej, Gentajan Sharra, Florenc Cekrezi, Elvis Koci, Ilirjan Feci, Petrit Qoli, Agron Qoli, Agron Qafa, Artan Plaka, Besjan Xhixha.”, janë 18 të arrestuarit, sipas Gledis Nanos.

Gjatë operacionit, si rezultat i kontrollit të banesave dhe hoteleve janë sekuestruar 3 armë zjarri (konkretisht 2 kallashnikovë dhe 1 pistoletë), 2 antiplumb si ato që përdor Policia e Shtetit, municion luftarak, rreth 17 mijë euro, aparate celulare, fatura bankare, automjete dhe sende të tjera të përfituara nga veprimtaria kriminale. Nano paralajmëroi spastrime nga radhët e Policisë që shpërdorojnë detyrën apo bëhen palë me krimin.

/rtsh.al/