SPAK është vënë në ndjekje të ‘kokave’ më të mëdha të krimit në vend, për të cilët ka lëshuar urdhër-arreste. Pas hetimeve disa mujore, SPAK ka nisur një operacion në disa qytete të vendit, ku në krye të listës për të kërkuarit janë edhe Ervis Martinajn, Suel Çelën, Kamber Mehajn, Talo Çelën dhe Sokol Sanxhaktarin, të gjithë emra të njohur për policinë të përfshirë në disa ngjarje kriminale.
Për të kërkuarit rëndojnë akuzat për vrasje, drogë, rrëmbim personi e shantazh, ndërsa arrestimet janë dhënë më urdhër të GJKKO-së. Mësohet se deri tani në pranga kanë përfunduar të paktën 10 persona të botës së krimit, por ende nuk është e konfirmuar zyrtarisht nga policia. Sipas burimeve këto arrestime kanë ndodhur gjatë goditjes së një grupi kriminal mjaft të fuqishëm në Elbasan, që janë lakuar së fundmi për disa ngjarje kriminale.
Mes të arrestuarve janë edhe efektivë policie që kanë ndihmuar këto persona duke dekonspiruar operacionet. Aksioni i SPAK vijon të zhvillohet në bashkëpunim me FNSH dhe RENEA-n. Aksioni i SPAK është shtrirë në Tiranë, Fier, Lezhë dhe Elbasan.
Ervis Martinaj është dënuar më parë me 1 vit e 4 muaj si i përfshirë në vrasjen e Enton Nikës dhe plagosjen e Ismet Gaxherrit në vitin 2015 në zonën e Linzës. Emri i tij ka dalë edhe në dosjen e bujshme gjyqësore kundër Emiljano Shullazit, ndërsa ka qenë i përfshirë në përplasjen me armë në ngjarjen në ish-bllok në 2018.
Talo Çela është person i shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, për vjedhje dhe vrasje. Ai është autori i dyshuar i vjedhjes së parave në pistën e aeroportit “Nënë Tereza”, në Rinas në 2019 si dhe i përfshirë në vrasjen e 2 vëllezërve Haxhia në Durrës. Edhe Suel Çela akuzohet i përfshirë në shumë ngjarje kriminale.
/rtsh.al/