RTSH 24 Live

Kronika

Akuzohet për vrasjen e babë e bir në Elbasan, ekstradohet nga Greqia 44-vjeçari me 3 emra

15/06/2023

Akuzohet për vrasjen e babë e bir në Elbasan, ekstradohet nga Greqia 44-vjeçari me 3 emra

Një 44-vjeçar është ekstraduar nga Greqia drejt vendit tonë këtë të enjte (15 qershor), i akuzuar për ekzekutimin e babë e bir në Elbasan në vitin 2012, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

44-vjeçari njihet me 3 emra, Jorgo Leku, alias Olsi Leka alias Giorgio Lekoi, ndërsa në bashkëpunim me persona të tjerë, ekzekutoi Gentian Beqirin, i cili ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi” dhe të atin e tij, Nezir Beqiri.

Ky shtetas është arrestuar nga autoritetet policore në Greqi, me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, në zbatim të urdhër arrestit ndërkombëtar të lëshuar nga Zyra Qendrore Kombëtare Interpol Tirana, pasi GJKKO ka miratuar vendimin penal të datës 12.06.2020, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, e cila ka caktuar për këtë shtetas, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave” kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e krimeve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal’. Në vitin 2012, në Elbasan, 44-vjeçari, në bashkëpunim me shtetasin E. B. (në rolin e ekzekutorëve) dhe me disa shtetas të tjerë, kanë vrarë me armë zjarri shtetasit A. B. dhe N. B. (babë e bir)”, njofton Policia.

Kujtojmë se për ngjarjen GJKKO ka dënuar me burgim të përjetshëm Ardjan Çapjan, Florenc Çapjan dhe Olsi Lekun. Po ashtu, GJKKO ka caktuar nga 25 vite burgim për Klajdi Dokoli dhe Etien Çani, ndërsa bashkëpunëtori i drejtësisë Ervis Bardhi është dënuar me 15 vite burg.

Prokuroria pretendon se vrasja në banesën e tyre, ku Gentian Beqiri allias Ardian Meta ishte në ‘arrest shtëpie’ dhe ruhej me dy policë në derën e shtëpisë, u bë pasi familjarët e Çapjave e akuzonin Beqirin si autor të vrasjes së biznesmenit të njohur Sokol Çapja, ngjarje kjo e ndodhur në dhjetor të vitit 2005, i cili dyshohet se u pagua nga një grup tjetër kriminal në Elbasan. Ndërkohë, Florenca Çapja, i cili akuzohet si porositësi i vrasjes së babë e bir, është ende në kërkim.

/rtsh.al/