Të rinjtë e pasionuar pas shpejtësisë çdo ditë e më shumë po “përqafojë” garat me automjetet e tyre në rrugë të ndryshme të vendit.
Kjo ka bërë që uniformat blu të vënë “nën lupë” rrjetin social “Tik-Tok”, pasi në këtë platformë ata hedhin videot e këtyre garave, të cilat vetëm pak javë më parë i morën jetën tri të rinjve.
Vetëm në 24 orët e fundit, policia Rrugore e Tiranës konstatoi 6 të rinj, të cilët janë ndaluar nga efektivët, pasi kanë kryer manovra të rrezikshme duke rrezikuar jetën e tyre dhe përdoruesve të tjerë në rrugë te Bulevardi i Ri në Tiranë.
Efektivët teksa monitoronin platformën sociale, Tik-Tok, i kanë evidentuar dhe kanë ndërhyrë menjëherë, pasi të rinjtë garat me automjete i postonin në rrjetin social duke i gjobitur më pas me 40 mijë lekë, referuar ligjit numër 8378 datë 22.07.1998 “Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë i ndryshuar; neni 139 paragrafi 3.
Policia Rrugore e Tiranës apelon për të gjithë përdoruesit e rrugës, që të respektojnë me rigorozitet rregullat e qarkullimit rrugor dhe fton qytetarët që të denoncojnë në numrin pa pagesë 112, çdo shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.
Gazetare: Flutura Tota
/rtsh/