RTSH 24 Live

Sociale

Obeziteti, mjekët në Elbasan apelojnë për të ndryshuar stilin e jetesës

4 orë para

Obeziteti, mjekët në Elbasan apelojnë për të ndryshuar stilin e jetesës

Obeziteti njihet si një ndër sëmundjet e shekullit.

Në qytetin e Elbasanit, mjekët thonë se rastet me obezitet sa vijnë e shtohen nga të gjitha moshat, duke nisur nga adoleshentët deri tek mosha e tretë.

Për mjekun kardiolog Sajmir Shehu, rritja e rasteve me obezitet më së shumti vërehet tek moshat e reja.

"Shkak është përdorimi i makinës, i ushqimeve jo të shëndetshme, joorganike apo të skuqura, ushqimet e shpejta, si dhe moskombinimi i frutave, zarzavateve, ushqimeve të freskëta," thotë Dr. Shehu.

Alisa Xhyra, mjeke e klubit të shumë sporteve në Elbasan, shprehet se obeziteti vjen si pasojë e akumulimit të yndyrës trupore, duke ndikuar negativisht në shëndetin e njeriut.

Parandalimi edhe luftimi i tij kryhet përmes ndryshimit të jetesës, sipas specialistëve, të cilët rekomandojnë 150 orë në javë aktivitet fizik të shoqëruar me një dietë të ekuilibruar.

"Një dietë e ekuilibruar dhe sa më shumë aktivitete fizike, ushtrime të rregullta," këshillon mjekja.

Specialistët e shëndetit nënvizojnë gjithashtu se një ndër shkaqet më kryesore të rritjes së numrit të personave me obezitet është qëndrimi për një kohë të gjatë para pajisjeve elektronike nga të rinjtë, duke konsumuar ushqime jo të shëndetshme në sasi të madhe.

/rtsh.al/