Të hënën, Komisioni parlamentar i Ligjeve shqyrton propozimet e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për ndryshimin e Kodit Zgjedhor.
Burime të besueshme i thanë Radio Televizionit Shqiptar se parlamenti do të votojë propozimet për plotësimin e ligjit elektoral, që lidhet vetëm me diasporën.
Çështja e pagesës së postës, me të cilën emigrantët do të dërgojnë votat në Shqipëri, hyrja në fuqi e vendimit që mori qeveria për dokumentet shqiptare të skaduara, diskutimi i kërkesës së opozitës që lidhet me ata emigrantë pa dokumente shqiptare, por vetëm të huaja, dhe pika e fundit se kush do t'i monitorojë numërimin e votave të diasporës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve: teknicienë apo përfaqësues të partive politike.
Që të ndryshohet kdit Zgjedhor duhet 84 vota dhe kjo do të kërkonte minimumin e konsensusit mes dy partive të mëdha për të bërë të mundur përmirësimin e kushteve që sigurojnë një proces të qartë pjesëmarrjeje për emigrantët që jetojnë jashtë kufijve shtetërore.
Të hënën do të jetë prova e parë nëse deputetët do të bëjnë lëshime apo do të vënë kushte.
Partia Socialiste, sipas qasjeve të saj politike së fundmi ka njoftuar se pavarësisht zhvillimeve, të enjten e 13 shkurtit do t'i fusë në kalendar votimin e ndryshimeve të ligjit elektoral.
Kjo do të jetë prova e parë për këtë vit, kur do të shihet se cili do të mbizotërojë: vullneti për konsensus si në korrik të vitit të kaluar, kur socialist dhe demokratët bashkuan votat për ndryshimin Kodit Zgjedhor, apo ndezja e një konflikti të ri të mundshëm në gjirin e opozitës.
Gazetare: Sonila Agostini
/rtsh.al/