Kryeministri Edi Rama ka ftuar edhe njëherë shqiptarët në diasporë që të regjistrohen deri më datën 4 mars në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të hedhur votën e tyre në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Gjatë komunikimit me qytetarët në rrjetin social Facebook në rubrikën “Sy m’Sy”, kreu i qeverisë u shpreh se regjistrimi në PER është i thjeshtë dhe disa problematika të vogla teknike mund të zgjidhen lehtësisht.
Rama përsëriti edhe njëherë vendimin e qeverisë mbi shtyrjen e afatit të vlefshmërisë deri më 31 maj të kartave ID dhe pasaportave biometrike të skaduara.
“Regjistrimi është i thjeshtë. Nganjëherë ngec për shkak se drita e fotos nuk është e mjaftueshme apo dokumenti s’është vënë mirë.
Dje qeveria ka vendosur që ata që kanë ID dhe pasaporta me afat të skaduar do shtyhet afati. Do jenë votues në 11 maj nëse do regjistrohen”, tha Rama.
Kritikave të qytetarëve për situatën ekonomike në Shqipëri, kryeministri iu përgjigj duke vendosur turizmin si sektorin që prin burimin e të ardhurave që hyjnë në vendin tonë.
"Shpenzimet e turistëve të huaj në Shqipëri në 2024 vlerësohen 4,8 miliardë dollarë ose rreth 4,5 miliardë euro të ardhura nga ata që vijnë këtu, të cilat i lënë këtu," u shpreh kryeministri.
Kreu i qeverisë përdori tone ironike për opozitën, e cila sipas tij nuk ka një platformë qeverisëse, por vetëm platformë fyerjesh e sharjesh.
"Njerëz që merren me muret, i bien mureve, i bien karrigeve, tavolinave. Çfarë është kjo? Opozitë? Nuk ka lidhje me opozitën, me idetë, me programet, me të ardhmen, me alternativat. Është kua-kua-kua," shtoi Rama.
Kryeministri mohoi kategorikisht njoftimet se palestinezët e larguar nga Gaza do të strehohen në Shqipëri.
/rtsh.al/