RTSH 24 Live

Botë

Janari 2025, muaji me temperaturat më të larta në historinë e fillimviteve

4 orë para

Janari 2025, muaji me temperaturat më të larta në historinë e fillimviteve

Janari 2025 ka shënuar një ngrohje rekord, duke thyer temperaturën më të lartë të regjistruar në historinë e këtij muaji, duke kaluar për një diferencë prej gati 0.1º C temperaturat e Janarit 2024, sipas të dhënave të shërbimit evropian të klimës, Copernicus.

Ky fenomen ka shkaktuar shqetësim dhe ka ngritur pyetje për shkencëtarët lidhur me ritmin e ndryshimeve klimatike, pasi parashikimet për këtë vit e konsideronin si më të freskët për shkak të ndikimit të fenomenit El Niño.

Ngrohja e botës ka vazhduar të shkaktohet nga emetimet e gazrave serrë, kryesisht nga djegia e lëndëve djegëse fosile, por shkencëtarët thonë se nuk mund të shpjegojnë plotësisht pse muaji i kaluar ishte kaq i nxehtë.

Kjo ngrohje është pjesë e një serie rekordesh të temperaturave që nga mesi i vitit 2023, ku temperatura ka qenë rreth 0.2º C mbi parashikimet.

Sipas Gavin Schmidt, drejtor i Institutit Goddard për Studimet Hapësinore të NASA-s, arsyeja kryesore e ngrohjes është rritja e gazeve serrë në atmosferë për shkak të aktiviteteve njerëzore.

“Arsyeja themelore që ne kemi thyer rekorde dhe kemi pasur këtë prirje të ngrohjes prej dekadash, është sepse po rrisim sasinë e gazeve serrë në atmosferë”, tha Schmidt.

Janari 2025 përfundoi 1.75º C më i ngrohtë se temperaturat e janarit të shekullit të 19-të, përpara se ndikimi i aktivitetit njerëzor të ishte ndjerë në ngrohjen globale.

Aktualisht, shumica e studiuesve presin që viti 2025 të përfundojë pak më i ftohtë se vitet 2023 dhe 2024, megjithatë rezultatet e Janarit kanë sjellë pasiguri për të ardhmen e ngrohjes globale dhe mundësinë që këto ndryshime të ndodhin më shpejt se sa pritej.

/rtsh.al/