RTSH 24 Live

Politikë

Noka : “Shqipëria ka nevojë për ndryshim”, Do bëjmë gjithçka që të shkojmë në zgjedhje me qeveri teknike

24/02/2024

Noka : “Shqipëria ka nevojë për ndryshim”, Do bëjmë gjithçka që të shkojmë në zgjedhje me qeveri teknike

Flamur Noka pas mbledhjes së kryesisë: Takime në terren me shqiptarët. Pas 20 shkurtit shqiptarët nuk pranojnë më për kryeministër McGonigalin shqiptar. Në zgjedhje të shkojmë me qeveri teknike

Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka, pas mbledhjes së Kryesisë së “Rithemelimit” u shpreh se,  se grupi i opozitës së bashkuar po punon çdo ditë që Shqipëria të shkojë në zgjedhje me një qeveri teknike.

Gjithashtu, Noka  shtoi se gjëja e parë që duhet të ndodhë në vend është McGonigali shqiptar, duke iu referuar kryeministrit Rama, të largohet dhe t’i hapë rrugën një qeverie të qytetarëve dhe më pas t’i hapet rruga integrimit të Shqipërisë në BE.

“Bashkimi i PD-së, krijimi i opozitës së bashkuar dhe protesta e datës 20 shkurt si kulmimi i zhvillimeve brenda opozitës, ishin kryefjala dhe treguan që PD-ja, opozita, por edhe vendi ka hyrë në një etapë të re zhvillimesh politike”, u shpreh ai.

Protesta e qytetarëve, ai lum njerëzish që vërshoi në Tiranë, shton deputeti demokrat, ishte ajo energji njerëzore që u derdh në bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, tregoi se Shqipëria ka nevojë për një ndryshim të madh.

“Përkthimi i atij mesazhi është që ne do të zbresim në bazë, të gjithë do të zbresim të takojmë të gjithë qytetarët, pensionistët, fermerët, arsimtarët, mjekët, nëpunësit, të papunët, rininë. Do të jemi çdo ditë në kontakt me ta, për të drejtuar gjithë këtë energji njerëzore dhe për ti dhënë një mundësi çlirimi gjithë kësaj energjie, që Shqipëria më në fund të shkojë në zgjedhje të lira dhe demokratike, me një qeveri teknike dhe jo më, me një qeveri që është armike e votës së lirë” theksoi ai.

Më tej deputeti demokrat, mbështetës i ish-kryeministrit Berisha, tha se, “pas datës 20 shkurt, shqiptarët nuk mund të pranojnë më kryeministër McGonigalin.

“Në Shqipëri hapi i parë që duhet të ndodhë, është që McGonigali shqiptar të largohet nga karrigia e pushtetit dhe ti hapë rrugë qeverisë teknike, që Shqipëria të ketë përfundimisht një qeveri përfaqësuese të shqiptarëve e jo të patronazhistëve dhe të krimit”, shton ai.

Në përfundim të deklaratës për media deputeti Noka theksoi se, “një qeveri e cila të ketë vetëm një synim, të ju mundësojë shqiptarëve zgjedhje të lira dhe të ndershme, zgjedhje të cilat i kanë munguar prej më se 10 vitesh këtij vendi, dhe pastaj për ti hapur rrugë edhe Shqipërisë të ecë drejt integrimit Europian, i penguar dhe i bllokuar nga krimi dhe korrupsioni i rilindjes”.

 

/rtsh.al/