RTSH 24 Live

Sociale

NJVKSH Gjirokastër, paketë këshillash për festa të gëzuara

31/12/2020

NJVKSH Gjirokastër, paketë këshillash për festa të gëzuara

Në prag të ndërrimit të viteve, Njësia Vendore e Kujdesit Shëndetësor Gjirokastër jep disa këshilla  e orientime për ta kaluar këtë natë gëzueshëm. Specialisti i shëndetit publik, Bledar Ahmetaj vjen me një paketë rekomandimesh për banorët. Përpos respektimit të masave të rekomanduara gjatë periudhës së pandemisë, që janë të detyrueshme për të gjithë, theksi vendoset te kujdesi që duhet të tregojnë, kryesisht të sëmurët kronikë, me ushqyerjen. Jo shumë yndyrna , ëmbëlsira e alkool.Një thirrje vjen edhe për fëmijët e adoleshentët për mospërdorimin e fishekzjarrëve, pasi dëmtimet mund të jenë serioze. 

“Jemi në periudhë pandemie dhe rrjedhimisht duhen respektuar masat e mbrojtjes personale dhe kolektive, të vendosura nga Ministria e Shëndetësisë. Ta presim vitin e ri brenda familjes, duke reduktuar grumbullimet kolektive, takimet e ngushta, kjo në përshtatshmëri të masave. Është pikërisht kjo situatë që na i dikton këtë. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë që ne nuk do festojmë. Kujdes specifik, në këtë rast, u duhet kushtuar personave me sëmundje kronike. Personat me hipertension, diabet, apo dhe sëmundje azmatike duhet të mbajnë një dietë të ekuilibruar në lidhje me konsumimin e ushqimeve apo alkoolit. Kontigjente risku në këtë rast mund të jenë gratë shtatzëna, fëmijët e vegjël. Për të gjithë ata që mund të kenë kollë, temperature, vështirësi në frymëmarrje këshilloj mos lëvizin nga shtëpia, pasi mund të jenë të infektuar me Covid e në këtë mënyrë parandalohet përhapja. Sigurisht që gjatë vizitave te njëri-tjetri, në ditët në vijim, të kujdesshmëm duhet të jemi gjatë lëvizjes me automjete pasi qarkullimi do jetë i dendur. Personat që i drejtojnë nuk duhet të jenë nën efektin e alkoolit, pasi mund të bëhen burim aksidentesh. Kujdes duhet treguar edhe me lëndët piroteknike, nga fëmijët dhe adoleshentët, pasi mund të sjellin dëmtime serioze.” – thotë Bledar Ahmetaj, specialist i shëndetit publik.