Të gjitha pallatet dhe zonat rezidenciale në qytetin e Lezhës dhe Njësitë Administrative do të regjistrohen. Në zbatim të legjislacionit për administrimin e bashkëpronësisë, bashkia ka ngritur grupet e punës që prej ditësh kanë zbarkuar në terren, për kryerjen e këtij procesi i cili shihet si një domosdoshmëri për t’ju përgjigjur çdo problematike që kanë banorët.
“Duke qenë se Bashkia ka rolin kryesor për sa i përket shërbimeve publike do jetë një rregullator për të pasur struktura të cilat i përgjigjen problematikave të banorëve”, u shpreh Elson Frroku, N/Kryetar i Bashkisë Lezhë.
Çdo pallat do të ketë asamblenë dhe administratorin që do të zgjidhet nga banoret dhe pas këtij procesi bashkia do të identifikojë problematikat dhe përcaktojë fondin për të ndërhyrë në çdo rast.
Në qytetin e Lezhës dhe Njësitë Administrative numërohen dhjetëra pallate të cilat deri më tani kanë funksionuar pa administrator, e për rrjedhojë banorët kanë hasur vështirësi për ti zgjidhur problemet e tyre në ambientet e përbashkëta.
/RTSH/