RTSH 24 Live

Politikë

Ndoka: Rotacioni politik, i domosdoshëm. PDK në koalicion me PD në zgjedhjet e radhës

11 orë para

Ndoka: Rotacioni politik, i domosdoshëm. PDK në koalicion me PD në zgjedhjet e radhës

Kryetar i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka i ftuar në studion e RTSH 24, deklaroi se mosbindja civile është një rrugë pa kthim, ndërsa shtoi se është e vetmja mundësi për të larguar qeverinë “Rama”.

Ai u shpreh se mungesa e opozitës në Kuvend, e çorienton mazhorancën.

Mosbindja civile është një rrugë pa kthim. E vetmja mundësi për të larguar këtë qeverisje. Kjo nuk e pengon opozitën sepse grupi parlamentar do jetë në Kuvend edhe në respekt të taksapaguesve shqiptarë.

PD duhet të jetë ballazi me këtë mazhorancë të çoroditur që mungesa e opozitës në parlament e çorienton më tepër.

Mosbindja civile, që janë qytetarët që kundërshtojmë politikat e kësaj mazhorance, pensionistët shqiptar që janë në protestë pasi kjo qeverisje është tallur prej 12 vitesh me ta, janë mjaft problematika që qytetarët prej kësaj keqqeverisje kanë mbi kurriz”, u shpreh Ndoka.

E ndërsa na ndajnë dhe pak muaj nga zgjedhjet parlamentare të 2025-ës, pyetur mbi shanset që ka opozita për të ardhur në pushtet, Kryetari i PDK-së u përgjigj duke thënë se rotacioni politik është i domosdoshëm për vendin dhe për qytetarët.

Shanset janë të padiskutueshme. Rotacioni është domosdoshmëri për vendin, qytetarët.

Ne kemi një qeveri të zhytur në krim, në korrupsion, afera korruptive. Gjysma e qeverisë sot është para drejtësisë, kryetarët e bashkive presin radhën të shkojnë në SPAK. Është mazhorancë e kalbur dhe ndryshimi i saj është padurim i qytetarëve për ta ndëshkuar me votë”, shtoi ai.

Ndërkaq, ndalur te partitë e reja të vogla politike në vend, Ndoka shprehu rezervat e tij për shpresën që mund të ngjallin në publik.

Ai sqaroi se nuk është kundër partive politike të reja, por mungesës së përkushtimin dhe organizimit të tyre.

Nuk jam kundër partive politike të reja. Për fat të keq nuk ka në skenën politike ndonjë prej këtyre partive që kanë fituar kauza. I referohem partive të reja që janë krijuar së fundi. E para është përkushtimi dhe mungesat e hapësirës së kanë, personazhet nuk janë të organizuar. Edhe partitë e reja nuk zgjedhin një gjuhë të përbashkët. Çfarë shprese mund të ngjallin te shqiptarët kur 4-5 personazhe me emër politik të sponsorizuar”, theksoi Ndoka.

Ky i fundit garantoi se në zgjedhjet e ardhshme PDK do të jetë pjesë e Parlamentit. Ndoka shtoi se PDK është pjesë e koalicionit të PD-së dhe është në interes të opozitës të ketë koalicione për të luftuar mazhorancën.

Unë jam pjesë e koalicionit të PD-së. Për fatin e keq PDK nuk është sot në Parlament nga pabesia dhe dredhi e Bashës. PDK është në 3-4 partitë kryesore të pluralizmit në këto 30 vite. Padiskutim që PDK do jetë pjesë e Parlamentit. Kodi ti dikton disa rregulla për partitë e vogla dhe pluralizmin në tërësi.

Ky kod ta detyron koalicionin. Është në interesin e opozitës të ketë një koalicion për t’u përballur me këtë mazhorancë”, përfundoi ai.

/rtsh.al/