RTSH 24 Live

Politikë

Shqipëri- SHBA, Balla: Marrëdhëniet do të forcohen më tej gjatë mandatit të presidentit Trump

14/11/2024

Shqipëri- SHBA, Balla: Marrëdhëniet do të forcohen më tej gjatë mandatit të presidentit Trump

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla deklaroi të enjten se, Shqipëria i ka të forta marrëdhëniet me SHBA-në dhe ato do të forcohen edhe më tej gjatë mandatit të presidentit të zgjedhur, Donald Trump.

Deklarata e Ballës u bë pasi deputeti i PD-së, Tritan Shehu, kërkoi që Kuvendi të bëjë një deklaratë për të përshëndetur fitoren e Donlad Trump në zgjedhjet presidenciale amerikane.

Por sipas Ballës, kuvendi nuk ka bërë ndonjëherë në këto 30 vite ndonjë deklaratë për të përshëndetur fitoren e ndonjë presidenti.

“Unë nuk mbaj mend ndonjëherë që Kuvendi i Shqipërisë në këto 30 vite të ketë bërë një deklaratë për të përshëndetur fitoren e një presidenti apo të një kandidati për kancelar apo kryeministër në një vend tjetër. Është fakt publik, kryeministri Rama ka qenë ndër udhëheqësit e parë evropianë që ka uruar presidentin Trump për fitoren e tij të shquar. Di që një pjesë e madhe e kolegëve të mi ministra, unë personalisht e kam bërë një gjë të tillë, siç e keni bërë dhe ju. Në fund të fundit është një moment i rëndësishëm, Presidenti i SHBA-ve është një aktor i rëndësishëm i politikës globale.”, tha Balla. “

Sipas tij, në këto 102 vite marrëdhëniesh të ngushta Shqipëri-SHBA shqiptarët nuk harrojmë asnjëherë rolin e pazëvendësueshëm të SHBA-së, në krijimin e shtetit shqiptar dhe rolin e pazëvendësueshëm të Presidentit Wilson, Bush (babai), e më pas presidenti Clinton, Bush (i riu), i cili vizitoi Shqipërinë dhe ishte një president që mbështeti fuqimisht anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, për të vazhduar me presidentin Obama, Trump, Biden dhe sërish presidentin e 47-të Trump”, tha Balla.

Balla nënvizoi se, Shqipëria marrëdhëniet me SHBA-në i ka të forta dhe këto marrëdhënie do të forcohen edhe më tej gjatë mandatit të presidentit të 47-të të Trump”.

“Është një gjë e mirë që në administratën e re të presidentit Trump që po konfigurohet pothuajse e plotë, ka duke filluar nga presidenti Trump dhe pozicione të tjera ka shumë, shumë njerëz personalitete që njohin shumë mirë Shqipërisë, që e njohin shumë mirë Ballkanin perëndimor dhe kjo është një mundësi për ta forcuar dhe për të shkuar tek ajo që tha dhe kryeministri Rama kur uroi presidentin Trump që marrëdhëniet tona do të vazhdojnë të forcohen edhe më tej sa i përket këtij raporti strategjik”, u shpreh Balla.

Deputeti Tritan Shehu në përgjigje ndaj ministrit Balla tha se, sado lojëra fjalësh të bëhen nuk arrihet dot të hidhet tymnajë mbi të vërtetat dhe mbi ngjarjet që po ndodhin dhe po përgatiten për botën mbarë.

“Urimi që i është bërë presidentit Trump nga lideri juaj ishte i njëjtë me urimin që mund t’i bëhej presidentit të Argjentinës në zgjedhjen e tij. Kaq. Asgjë më shumë. Duhet ta kuptoni këtë gjë, merremi me politikë dhe i kuptojmë këto gjëra”, tha Shehu.

/rtsh.al/