RTSH 24 Live

Politikë

Interpelancë për Onkologjikun, Shehaj sjell denoncimin e qytetarit. Koçiu: Turp!

14/11/2024

Interpelancë për Onkologjikun, Shehaj sjell denoncimin e qytetarit. Koçiu: Turp!

Në Kuvendin e Shqipërisë, deputeti Agron Shehaj ngriti një çështje të rëndësishme gjatë interpelancës me ministren e Shëndetësisë, Albana Koçiu, lidhur me mungesën e ilaçeve dhe trajtimin e pacientëve me sëmundje tumorale në Spitalin Onkologjik.

Shehaj prezantoi një denoncim të qytetarit, që tregonte se djali i tij, 39 vjeç, vdiq pasi i ndërprenë mjekimet në Onkologjik, për shkak të mungesës së ilaçeve.

Në përgjigje të këtij denoncimi, deputeti Shehaj kërkoi të dinte se cilat masa do të merren për të parandaluar raste të tilla tragjike.

Ministrja Koçiu, megjithatë, reagoi duke e quajtur të papranueshme përdorimin e një tragjedie njerëzore për qëllime politike, duke theksuar se kanceri është një sëmundje që duhet kapur në fazat e hershme dhe se autoritetet janë angazhuar në fushata ndërgjegjësimi për kontrolla periodike. Ajo e akuzoi Shehajn se po përdorte një dramë personale për të marrë pikë politike.

“Nuk e besoja që do përdorje këtë fatkeqësi të qytetarit për kredo politike dhe ky nuk është as rasti dhe as vendi që të trajtohen këtu, por ka të bëjë me faktin se kanceri nëse nuk kapet në kohë ka problematikat e veta. Pikërisht për këtë bëjmë fushata ndërgjegjësuese dhe të bëhen kontrolle periodike dhe nuk do bie në batakun e asaj që doni të bëni, të sillni një tragjedi njerëzore për politikë. Merresh me mesazhe se çfarë thuhet nëpër korridore, turp se nuk do merrni vota me këto narrativa politike”, tha Koçiu.

Koçiu gjithashtu theksoi përparimet në Shëndetësi, duke njoftuar se do të vendoset së shpejti akseleratori i tretë në Spitalin Onkologjik dhe se do të forcohen programet e depistimit për të parandaluar diagnozat të vonuara.

Për sa i përket akuzave të tregtisë së ilaçeve të Onkologjikut drejt farmacive dhe klinikave private, Koçiu theksoi se organet ligjzbatuese do të hetojnë të gjitha rastet dhe se janë ndërmarrë masa për të luftuar korrupsionin dhe për të rritur llogaridhënien në shëndetësi.

“Ndërmorëm ndryshime ligjore që rrit llogaridhënien dhe lufton korrupsionin në shëndetësi. Se shpejti do të pajisim onkologjikun me akseleratorin e tretë. Sot kemi plan veprimi për luftën kundër kancerit, që parasheh forcimin e programeve të depistimit për të kapur në kohë problematikat dhe përmirësimin e cilësisë së trajtimit. Jemi të vendosur për të zbardhur të gjithë të vërtetën e rasteve të tregtimit të ilaçeve të Onkologjikut në farmaci e klinika private. Këto janë objekt hetimi nga organet ligjzbatuese. Do rriten kontrollet mbi farmacitë, gjatë 2024 kemi rreth 500 inspektime në to kur janë marrë masa në raport me shkeljet e konstatuara”, tha Koçiu.

/rtsh.al/