Të folurit vonë nuk është një diagnozë e qartë për mjekët dhe as nuk renditet në manualin e sëmundjeve patologjike, ndaj mënyrat për ta trajtuar këtë vonesë janë të ndryshme.
Zakonisht fëmijët që flasin vonë konsiderohen ata që nuk arrijnë të shqiptojnë 50 fjalë apo të formojnë kombinime dyfjalëshe deri në moshën dy vjeç. Por sërish përcaktimi mbetet i paqartë.
Në emisionin "Mirëmëngjesi Shqipëri" në RTSH, logopedi Erges Eskiu tregoi hapat si fëmija fillon të flasë në muajt e parë të jetës.
"Fjalët e para vijnë në moshën 1 vjeç dhe kryesisht janë tri fjalë: papa, mama, dada. Edhe në moshën 2 vjeç, fëmija përveçse qan, lëshon edhe tinguj të ndryshëm. Në moshën 4 vjeç sërish kemi belbëzimet e para. Mosha 9-muajshe janë bashkimi i fjalëve ma-ma-ma, pastaj në moshën 18-muajshe fëmija duhet të thotë të paktën pesë fjalë.
Ne lëmë një tolerancë 15–18 muaj nëse fëmija nuk ka folur që 1 vjeç, për të mos u shqetësuar. Një kontroll me mjekun pediatër, neuropediatrin dhe logopedin është gjithmonë i rekomandueshëm. Nëse pas 18 muajve nuk kemi fjalët e para, mund të kemi një zhvillim gjuhësor të vonuar, nuk do të thotë patjetër që kemi të bëjmë me zhvillime të spektrit autik," tha mjeku.
Problemi i të folurit vonë mund të ketë edhe një bazë gjenetike.
"Ndoshta njëri prej prindërve përdor belbëzimin si mënyrë komunikimi. Edhe fëmija mund të ketë predispozitën për këtë," shtoi z. Eskiu.
Nga ana psikologjike, prindërit që hasen me një zhvillim të tillë këshillohet ta lejojnë fëmijën të mbarojë së foluri, të mos shqetësohen pse fëmija po përsërit fjalën apo shkronjën e parë.
Në qoftë se ia vë në dukje ai do fillojë të mendojë që ka një problem dhe pasiguria që i krijon mund të ngelet, u shpreh psikologia Delina Malaj.
"Ne gjithmonë këshillojmë që t'i flasim fëmijës në gjuhën e të rriturit, jo në gjuhën e fëmijës, sepse kjo ndikon pastaj që të mos artikulojnë fjalët në mënyrë të qartë dhe ky komunikim në formë 'bebeje' mund të vazhdojë deri në një moshë më të vonshme," tha psikologia.
Kontakti me teknologjinë që në muajt e parë të jetës vlerësohet po ashtu se po i rëndon rrethanat për fëmijët me vonesë në të folur.
"Është shumë e rëndësishme të vendoset komunikimi me fëmijën. Qoftë edhe gjysmë ore në ditë, nëna dhe babai duhet të komunikojnë me fëmijën, për ushqimin, në qoftë se ka uri apo a është i pastër. Komunikimi i bën ata më të qetë. Nëse i lëmë para telefonit, ai do të ketë shokun virtual, mirëpo shoku virtual është egoist, sepse vetëm ai flet, vetëm ai luan dhe e merr gjuhën në mënyrë pasive. Nuk nxitet për të komunikuar. Sa më shumë ne t'i flasim fëmijës, aq më shumë ai ka mundësinë të zgjerojë edhe fjalorin," deklaroi z. Eskiu.
/rtsh.al/