RTSH 24 Live

Sociale

Në Kukës dy shkolla gati për rikonstruksion, pritet nënshkrimi i kontratës

24/07/2024

Në Kukës dy shkolla gati për rikonstruksion, pritet nënshkrimi i kontratës

Shkolla 9 vjeçare “Avni Rustemi” dhe kopshti “Nr. 3” në qytetin e Kukësit, janë dy objekte të rëndësishme arsimore që do ti nënshtrohen rikonstruksionit të plotë këtë vit.

Nënkryetari i Bashkisë Agron Nuredinaj tha se procedura e prokurimit ka përfunduar tashmë dhe po priten afatet ligjore për nënshkrimin e kontratës me sipërmarrësit e rikonstruksionit.

Sipas tij ky investim është shumë i rëndësishëm për një objekt të tillë që nuk është ndërhyrë që nga viti 1972.

“Kjo shkollë ka një amortizim pothuajse të plotë që nga ndërtimi i saj në vitin 1972. Do ti nënshtrohet një ndërhyrjeje të plotë, nga ana e brendshme ashtu dhe nga fasada. Do ti kushtohet një vëmendje edhe ambientit të jashtëm, gjelbërimit si dhe një qendër krijuese për nxënësit. Vlera e këtij objekti shkon në 107 milionë lekë të reja”, tha Zëvendëskryetar i Bashkisë Kukës, Agron Nuredinaj.

Edhe kopshti “Nr. 3” do të ketë të njëjtën ndërhyrje totale për të krijuar kushte sa më komode për fëmijët që frekuentojnë kopshtin.

Punimet për rikonstruksionin e dy objekteve arsimore pritet të nisin para shtatorit e për të përfunduar në nisje të sezonit shkollor 2025-2026.

Nga ana tjetër bashkia e Kukësit po punon edhe me institucione të tjera joqeveritare dhe donatore për të përfshirë objekte të tjera arsimore në projekte rehabilitimi.

/RTSH/