Rritja e platformave Booking dhe Airbnb po i jep një hov të madh biznesit të qiradhënies në të gjithë vendin, i përqendruar kryesisht në qytetet turistike.
Pedagogia e ekonomisë, Antoneta Polo, theksoi se numri i këtyre strukturave ka arritur në 21 mijë.
"Booking dhe Airbnb ishin platformat më të rëndësishme në vitin e fundit, pasi krahasuar me katër vjet më parë numri i tyre është katër herë më i lartë. Pra, në qoftë se në vitin 2021, kur filloi regjistrimi i tyre për herë të parë, ishin rreth 5.300 platforma të tilla, tani kanë shkuar në 21 mijë," tregon pedagogia e ekonomisë.
Znj. Polo u shpreh se numri i këtyre strukturave po rritet nga viti në vit dhe të ardhurat kanë shkuar në 85 milionë euro në 2024.
"Kjo shifër është gati dyfishi i shumave të siguruara nga këto platforma një vit më parë dhe tendenca është që numri i këtyre platformave të rritet. E shikojmë edhe në qytetin tonë që shumë shtëpi dhe objekte janë kthyer në Airbnb në shërbim të turizmit," shprehet znj. Polo.
Kërkesat janë të shumta dhe çdo vit, turizmi jo vetëm në Gjirokastër, por edhe në qytete të tjera është kthyer në një degë shumë të rëndësishme të ekonomisë.
/rtsh.al/