Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë e shoqëruar nga kreu i AKUK, Klevis Jahaj ndoqën nga afër punimet për ndërtimin e depos së ujësjellësit, e cila do të ketë një kapacitet prej 4000 m3.
Gjatë inspektimit, Jahaj duke dhënë detaje mbi këtë projekt u shpreh se “Është një investim me parametra bashkëkohore. Parashikon tre stacione të reja të pompimit dhe ndërtimin e një stacioni pompimi i cili do të bëjë furnizimin e depos kryesore prej 4 mijë metër kub. Janë tre puse të cilët do të kenë edhe një depo grumbulluese prej 80 metër kub dhe një stacion të ri i cili do të bëjë edhe monitorimin me SCADA në të gjithë sistemin e shpërndarjes. Gjithashtu dhe pjesa automatike e disinfektimit dhe ruajtjes së cilësisë së ujit”.
Nga ana e saj, zëvendëskryeministrja Balluku tha se investimet në ujësjellës, në të gjithë vendin, parashikojnë projekte të plota duke nisur nga depot dhe deri tek vendosja e matësave, përmes të cilëve sigurohet jo vetëm një furnizim i pandërprerë me ujë të pijshëm, por edhe siguri.
“Bashkë me të gjithë investimin që ne bëjmë përsa i përket puseve të reja apo burimeve të reja, veprat marrëse, të gjitha depozitat që tashmë ne i ndërtojmë, sistemin SCADA që do të ketë çdo ujësjellës i ri, nga ana tjetër çka është më e rëndësishme projektet janë gjithmonë të kompletuara, duke qenë se kemi edhe matësat inteligjentë. Nuk do të kemi më asnjë lloj problematike me faturime aforfe”, tha Balluku.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, referuar projekteve që aktualisht janë duke u zbatuar në të gjithë vendin, theksoi se zonat bregdetare kanë një vëmendje të shtuar për shkak të sezonit turistik, pasi rrisin me disa fish kapacitetin e tyre për shkak të numrit të vizitorëve.
“Duhet të kemi parasysh që zona si Vlora apo zonat e jugut, 5 deri në 10 fishojnë kapacitetin e tyre të kërkesës për shkak të të gjithë vizitorëve, të turistëve. Duke pasur parasysh që muaji janar i 2025 ka një numër 20% më të lartë të vizitorëve se janari i 2024 është një trend që tregon sesi do të jetë ky vit. Pra, ky vit minimalisht do të ketë 20% më shumë vizitorë se viti i kaluar që u mbyll me 11.7 milionë, ndaj duhet të kemi parasysh që ujësjellës-kanalizimet janë një nga pikat e shërbimit më kritike, ashtu siç është edhe energjia që kërkojnë vëmendje të veçantë dhe sidomos zonat siç është Durrësi, Shëngjini, Velipoja, Vlora më shumë nga të gjitha, Radhima e më pas gjithë jugu”, tha Balluku.
Faza e parë e projektit të ujësjellësit të Mamurrasit përfshinë furnizimin e qytetit, ndërsa më pas do të shtrihet edhe në 7 fshatra të tjerë të zonës.
Punimet për ndërtimin e ujësjellësit të ri në zonën e Mamurrasit kanë arritur në 45% të volumit të tyre.
Investimi që po realizohet përfshin hapjen e pus shpimeve të reja, ndërtimin e depos dhe rrjetin e transmetimit dhe atë të shpërndarjes, si dhe vendosjen e matësve për të gjithë abonentët.
Në fazën e parë projekti do të ketë një impakt për afro 10 mijë banorë, ndërsa me përfundimin e plotë të tij kjo shifër arrin në 15 mijë.
/rtsh.al/