Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, asetet neto të fondeve të pensioneve private në Shqipëri arritën në 5,88 miliardë lekë më 31 dhjetor 2024, duke shënuar një rritje prej 15,65% krahasuar me fundin e vitit 2023.
Numri total i anëtarëve në këto fonde arriti në 39.765, duke pësuar një rritje prej 7,12% gjatë të njëjtës periudhë. Kjo tregon një interes në rritje të individëve për të investuar në skemat private të pensioneve, duke diversifikuar burimet e tyre të ardhshme financiare.
Në aspektin e shpërndarjes së aseteve neto ndërmjet fondeve të ndryshme, vërehet një përqendrim i lartë i tregut në tri fondet kryesore, të cilat së bashku përbëjnë rreth 90% të aseteve totale.
Rritja e vazhdueshme e aseteve dhe zgjerimi i numrit të anëtarëve tregon për një rritje të besimit të publikut në skemat private të pensioneve dhe për një vëmendje të shtuar të individëve në rëndësinë e planifikimit financiar afatgjatë.
Gazetar: Omer Saraçi
/rtsh.al/