Kryeministri Edi Rama ka theksuar edhe njëherë se është Partia Socialiste, sipas tij, që garanton reformën në drejtësi. Gjatë një takimi në Tiranë me asambletë socialiste të njësive 5, 6, 13, 14 të kryeqytetit, duke iu referuar opozitës, Rama tha se “askush nuk mund të na kërkojë hesapë” për luftën kundër korrupsionit.
Rama iu përgjigj edhe akuzave të opozitës se shumica e bashkëpunëtorëve të tij në qeveri janë sot në burg.
“’Të hynë të gjithë në burg’, ‘të gjithë në burg s'ka më’, si s'ka më. Por ne kemi pas 60 e kusur ministra në qeveri. Dy ministra të dënuar, njëri i Partisë Socialiste dhe njëri i Aleatit Strategjik, ndjesë pas, në mandatin e parë. Pra, të mandatit të parët ata, njëri ende në gjykim, pra prezumimi i pafajësisë ekziston akoma, tjetri i arratisur për t’i ikur drejtësisë. Kam harruar ndonjë? Mund të ishin edhe më shumë dhe prapë nuk do donte të thoshte fare që ne duhet të trajtohemi si njerëzit që duhet të paguajnë, pse në fakt hapëm kapakun e një pusete që ishte e mbyllur që nga 1912?”, deklaroi kryeministri.
Sipas kryesocialistit, PS nuk është viktima në luftën kundër korrupsionit, por forca që nisi “luftën” kundër këtij fenomeni.
“Patjetër që ka gjëra që nuk shkojnë, por ama duke filluar nga kjo e korrupsionit, kjo është gjëja më e tmerrshme. Është më e tmerrshmja që ne ta pranojmë pa luftë, që të na kërkojnë ne hesap të tjerët, ne mund t'i kërkojmë hesap njëri-tjetrit, ju mund të kërkoni hesap, mua unë mund t'ju kërkoj hesap juve, brenda po brenda, po askush jashtë kësaj partie nuk na kërkon dot ne hesap, për luftën kundër korrupsionit, sepse çfarë po ndodh sot është lufta jonë. Nuk jemi ne viktimat këtu. Nuk është një luftë që na e hapi Amerika, se Amerika i tërhoqi ushtarët që kishte sjellë për të ndihmuar dhe për të mbështetur SPAK-un, ikën. Nuk janë më aty, se i tërhoqi nga gjithë bota. Ja ku është SPAK-u prapë aty. Kush e mban SPAK-un tani aty? Meqë e kishte sjellë Amerika, e mbante Amerika, i bënte Amerika këto. Kush e mban pastaj? E keni dëgjuar bufin e kënetës që thotë do ta shkrijë? Në qoftë se ne do ishim ata që përpiqen të na pikturojnë, ishte shkrirë SPAK-u sot. S'kishte nevojë fare”, deklaroi Rama.
/rtsh.al/