RTSH 24 Live

Ekonomi

Tre të arrestuar, shitën 10 tonë mandarina me pesticide që u kthyen nga Kroacia

5 orë para

Tre të arrestuar, shitën 10 tonë mandarina me pesticide që u kthyen nga Kroacia

10 tonë mandarina janë kthyer nga Kroacia në Shqipëri pasi kanë rezultuar me përmbajtje të lartë të pesticidit “Fosmet”, ndërsa tre persona janë arrestuar për shkak se e hodhën sasinë për shitje në tregun vendas.

Pas hetimeve disamujore, Policia njoftoi ndalimin e administratorit të një pike grumbullimi, ku ngarkesa e raportuar duhej të ishte asgjësuar. Së bashku me një tjetër fermer dhe një inspektor lokal, Arben D., Elton T. dhe Elson T. akuzohen për veprat penale “Shkelja e rregullave mbi lëndët helmuese”, “Prodhimi dhe shitja e ushqimeve dhe e lëndëve të tjera të rrezikshme për shëndetin ose jetën e njerëzve”, “Mashtrimi me produktet ushqimore” dhe “Shpërdorimi detyrës”.

Arrestimi i këtyre personave erdhi pasi nga veprimet hetimore të deritanishme, fermeri Elton T. shiti te Arben D. 10 tonë mandarina, të cilat më pas ky i fundit i eksportoi drejt Kroacisë.

Analizat e ngarkesës analizat rezultuan me përmbajtje të lartë pesticidi të dëmshëm për shëndetin dhe i ndaluar për t'u përdorur. Ky zbulim u sinjalizua në dhjetor edhe te Sistemi i Informimit të Shpejtë i Ushqimit për Njerëzit dhe Blegtorinë (RASFF), një mekanizëm i Bashkimit Europian për sigurinë ushqimore.

Pas hetimeve rezultoi gjithashtu se inspektori pranë Drejtorisë Rajonale të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së bimëve, Elson T. lëshoi certifikata fitosanitare fiktive për subjekte të ndryshme, ndër të cilat dhe subjekti i shtetasit Arben D.

"Gjatë operacionit policor të koduar “Injeksioni”, u vunë në pranga shtetasit E. T., 46 vjeç, A. D., 56 vjeç dhe E. T., 30 vjeç.

Nga hetimet rezultoi se fermeri, shtetasi E. T., 46 vjeç, kishte prodhuar dhe kishte çuar për magazinim, te subjekti i shtetasi A. D., në fshatin Goriçan, 10 tonë fruta (mandarina). Sasia e frutave ishte eksportuar nga shtetasi A. D., në Kroaci, ku nga analizat ka rezultuar me përmbajtje të lartë të pesticidit Phosmet. Për këtë shkak, sasia është kthyer nga shteti kroat dhe është shitur në tregun shqiptar, nga shtetasi A. D.. Ndërkaq, dyshohet se shtetasi E. T., 30 vjeç, me detyrë inspektor i Drejtorisë Rajonale të Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve, ka lëshuar certifikatë fitosanitare fiktive, për subjektin në administrim të shtetasit A. D., si dhe për subjekte të tjera", thuhet në njoftimin e policisë.

/rtsh.al/