Nis zbatimin projekti për ndërtimin e Muzeut Kombëtar Hebraik në Vlorë.
I ideuar dy vite më parë, ky projekt parashikon transformimin e godinës në një objekt multifunksional.
Projekti i prezantuar para pak kohësh duket se ka pësuar ndryshime, pasi fillimisht ishte parashikuar vetëm një instalacion prej xhami mbi sheshin aktual. Në planin e ri pritet të ndërtohet një kat i ri shtesë në katin e tretë të godinës aktuale, totalisht prej xhami, që do të përdoret si një ekspozitor i muzeut.
Ndërkohë në sheshin e qendrës historike do të ndërhyhet në pjesën e nëntokës, duke ndërtuar një kat të nëndheshëm e më pas një instalacion betoni vendosur në hapësirën tashmë të rrethuar.
Me një fond që kap vlerën e 6.5 milionë dollarë ky muze do të pasqyrojë jetesën e komunitetit hebre ardhur në Vlorë gjatë periudhës së holokaustit, por gjithashtu do ketë ambiente të dedikuara për edukim dhe art.
Një instalacion me punime të arkitekturës moderne do të ngrihet në hapësirën ku sot gjendet sheshi i qendrës historike para klubit "Labëria".
/rtsh.al/