RTSH 24 Live

Kulturë

106 vjet teatër amator në Pogradec, të rinjtë venë në skenë veprën “Skënderbeu”

21/02/2025

106 vjet teatër amator në Pogradec, të rinjtë venë në skenë veprën “Skënderbeu”

Në kuadër të 106-vjetorit të teatrit amator në Pogradec, Qendra Kulturore “Lasgush Poradeci” solli në skenë veprën teatrale “Skënderbeu”, e realizuar nga të rinjtë e qytetit me regji të Jurgen Liçkollarit. Regjisori i ri e cilësoi këtë produksion si një sfidë të madhe, por u shpreh i kënaqur me reagimin pozitiv të publikut.

Menduam të bënim një shfaqje në përkujtim të heroit kombëtar Skënderbeun duke marrë pjesë nga historia e tij tek libri i Fan Noli dhe tek libri i Marin Barletit dhe i kemi përshtatur në skenë”, u shpreh regjisori Jurgen Lickollari.

Nga ana tjetër, drejtori i Qendrës Kulturore Multifunksionale, Eritan Kamolli, nënvizoi se qëllimi i këtij institucioni është të krijojë hapësira për të rinjtë e qytetit që të shprehin talentin e tyre në artin skenik.

Qendra Kulturore “Lasgush Poradeci” ka në objektivat e saj që jo vetëm të bëjë aktivitete por edhe të përfshijë të rinjtë në këto aktivitete”, u shpreh Eritan Kamolli, Drejtor i Qendrës Kulturore Multifunksionale.

Teatri amator në Pogradec, i themeluar në vitin 1919, ka nxjerrë shumë artistë të njohur dhe vijon të mbetet një vatër e rëndësishme kulturore për brezat e ardhshëm.

Gazetare: E.  Xhindole

/rtsh.al/