RTSH 24 Live

Europë

Paqja Rusi–Ukrainë, Lavrov: Nëse na "leverdis". Zelensky: Të shkëmbejmë të burgosurit

4 orë para

Paqja Rusi–Ukrainë, Lavrov: Nëse na "leverdis". Zelensky: Të shkëmbejmë të burgosurit

Moska njoftoi të hënën (24 shkurt) se është arritur një marrëveshje me Kievin dhe Kryqin e Kuq për sa i përket evakuimit të banorëve nga rajoni i Kurskut, që është pjesërisht nën kontrollin e forcave ukrainase.

Zyrtarët e rajonit thanë për mediet lokale se në bazë të marrëveshjes me palën ukrainase, civilët do të evakuohen përmes Bjellorusisë drejt Rusisë.

Gjatë një samiti në Kiev me rastin e trevjetorit të nisjes së pushtimit rus në vend, presidenti Volodymyr Zelensky kërkoi që Rusia, nga ana tjetër, të lirojë të gjithë të burgosurit ukrainas dhe se edhe vendi i tij është gati të bëjë të njëjtën gjë.

"Rusia duhet të lirojë ukrainasit. Ukraina është gati t'i shkëmbejë të gjithë për të gjithë, dhe kjo është mënyra e ndershme për t'ia nisur," u shpreh Zelensky duke iu referuar nisjes së një procesi për dhënien fund të konfliktit mes dy vendeve.

Presidenti ukrainas deklaroi se ky vit duhet të jetë fillimi i një paqeje të përhershme në vendin e tij.

Gjatë ditës, Zelensky po ashtu përgëzoi "rezistencën" dhe "heroizmin" e popullit ukrainas, teksa 13 liderë europianë mbërritën në Kiev për të shprehur solidaritetin në përvjetorin e pushtimit. Ai tha se shpreson që takimi do të jetë një "pikë kthese".

Nga ana ruse, kryediplomati Sergei Lavrov tha të hënën se Rusia është gati të ulet për bisedime, por do i ndalë luftimet vetëm nëse akordi për paqe "leverdis" Moskës. Sipas tij, është vetë Europa, që do që lufta "të vazhdojë". /AFP

/rtsh.al/