Nis hedhja e shortit për 500 apartamente të reja në Kombinat, pjesë e procesit të rindërtimit të kësaj zone. Lajmi është bërë i ditur nga vetë kryeministri Edi Rama, i cili ka zhvilluar një inspektim në zonën e Rindërtimit në Kombinat.
Në këtë inspektim, Rama shoqërohej edhe nga ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, si dhe kryetarja e Deleguar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani.
Gjatë këtij inspektimi, Rama theksoi se zhvillimi dhe rindërtimit në këtë zonë është penguar nga individë dhe gjykatës, që kanë përdorur lojëra politike dhe juridike për të vonuar procesin.
“Pas shumë peripecish me mashat politike e me gjykatës të papërgjegjshëm, që morën peng familjet e Kombinatit në pritje të Rindërtimit, procesi ka hyrë tanimë në vijë dhe ka nisur hedhja e shorteve të njëpasnjëshme për 500 apartamente të reja, ndërkohë që puna vazhdon për pjesën tjetër të projektit, i cili do të transformojë Kombinatin në një qendër të re të Tiranës”, theksoi Rama gjatë inspektimit.
Zona e re që po ndërtohet në Kombinat do të garantojë zhvillim të qëndrueshëm dhe strehim të përshtatshëm të banorëve të prekur. Në këtë zonë janë parashikuar të ndërtohen objekte banimi me 6 dhe 8 kate. Zona do të ketë sheshe urbane ndërthurur me banesa, pedonale dhe rrugë për biçikleta, ndërkohë që ndërtimi i banesave do të jetë i gërshetuar edhe me ndërtimin e objekteve arsimore.
/rtsh.al/