RTSH 24 Live

Politikë

KQZ regjistron 15 partitë e para politike, aplikimet nga diaspora në 220 mijë

11 orë para

KQZ regjistron 15 partitë e para politike, aplikimet nga diaspora në 220 mijë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka regjistruar për zgjedhjet e parlamentare, 15 partitë e para politike nga 29 kërkesa.

Përveç Partisë Socialiste, Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë, në mesin e të regjistruarve janë edhe forcat e reja politike:

  1. Partia Socialiste e Shqipërisë me kryetar Edi Rama
  2. Partia Demokratike e Shqipërisë me kryetar Sali Berisha
  3. Partia e Lirisë me kryetar Ilir Metaj
  4. Shqipëria Bëhet me kryetar Adriatik Lapaj
  5. Nisma Thurje me kryetar Endrit Shabani
  6. Lëvizja Bashkë me kryetar Arlind Qori
  7. Mundësia me kryetar Agron Shehaj
  8. Partia Demokristiane me kryetar Nard Ndoka
  9. Lëvizja e Legalitetit me kryetar Shpëtim Axhami
  10. Partia Kristiandemokrate e Shqipërisë me kryetar Dhimitër Muslia
  11. Partia Kombëtare Konservatore Albania me kryetar Kujtim Gjuzi
  12. Aleanca Demokristiane e Shqipërisë me kryetar Zef Bushati
  13. Balli Kombëtar Demokrat me kryetar Artur Roshi
  14. Bashkimi Demokrat Shqiptar me kryetar Ylber Valteri
  15. Balli Kombëtar me kryetar Adriatik Alimadhi

Përfaqësuesit ligjorë të PD-së gjatë mbledhjes i kërkuan Ilirjan Celibashit që të votohej edhe me dokumente të huaja nga emigrantët shqiptarë, gjë që kryetari i KQZ-së e quajti të pamundur.

Kur kanë mbetur edhe 10 ditë nga afati përfundimtar për regjistrimin e shqiptarëve nga diaspora nëpërmjet platformës elektronike të KQZ-së, për të votuar në parlamentaret e 11 majit, numri i votuesve ka arritur mbi 220 mijë.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vijon më procedurat e përpunimit, ku mbi 38 mijë mijë qytetarëve iu është refuzuar kërkesa për shkak se emigrantët po vazhdojnë të gabojnë në aplikime.

Kreu i Komisionit, përmes një postimi në rrjetin social "Facebook", dha disa këshilla dhe sqarime sidomos për ata që u është refuzuar më parë kërkesa në PER.

Pyetjes se cili është dokumenti i adresës që duhej ngarkuar ai iu përgjigj: “Një nga dokumentet; fatura e energjisë, fatura e telefonit, kontrata e qirasë, ose dokument tjetër të ngjashëm. Kujdes, gjatë ngarkimit të jenë të dukshme emri dhe adresa!

Në rast se në dokument është emri i një familjari në adresë dhe jo i personit që do të regjistrohet, Celibashi shpjegon: “Në këtë rast ju duhet të ngarkoni dokumentin me adresën, edhe pse nuk është në emrin tuaj dhe bashkë me të ngarkoni certifikatën familjare.

Pyetjes se dokumenti i adresës është në emër të personit me të cilin i interesuari banonte, ai iu përgjigj: “Nëse dokumenti i adresës është i një personi që nuk ka lidhje familjare me ju, por banoni me të, atëherë ngarkoni dokumentin e adresës, të shoqëruar me një deklaratë (edhe me shkrim dore), nga personi që zotëron dokumentin e adresës. Në këtë deklaratë duhet të përfshihet edhe një kopje e dokumentit të identifikimit të personit në emër të të cilit është dokumenti i adresës. Më pas të dy këto dokumente duhet të skanohen së bashku dhe të ngarkohen në PER.

Procesi për regjistrimin në PER ka filluar në 11 janar dhe do të zgjasë deri në 4 mars.

Gazetare: Jonida Omeri

/rtsh.al/