Kisha e Shën Todrit në fshatin Arrëz të Lushnjës është në rrezik shembjeje.
Alarmi në strukturat shtetërore është dhënë që prej vitit 2019.
Atë Harallamb Llupo, prifti që shërben në këtë objekt kulti, thotë se ndërhyrja duhet të jetë e menjëhershme.
Çatia është shembur pjesërisht, lagështia dhe myku po gërryejnë strukturën e mbetur në këmbë.
"Çfarë monument kulture flasim, i kategorisë së parë, kur ky është drejt shkatërrimit?! Po të shikoni nga çatia, muret, ambientet... është drejt shkatërrimit," thotë prifti i kishës.
Kisha ka vënë në dijeni institucionet përgjegjëse për degradimin e këtij objekti të shpallur "monument kulture i kategorisë së parë.
Ndërkohë, Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, sipas burimeve nga Bashkia Lushnjë, po harton projektin e restaurimit pas inspektimit në terren të specialistëve të fushës, por ende nuk ka një datë për fillimin e punimeve.
"Në 2019 një ekip i përbërë nga një staf projektues i monumenteve të kulturës erdhën dhe bënë projektin. Efekti i pandemisë dhe tërmetit ka bërë që të bien në vesh të shurdhët edhe sot e kësaj dite," tregon Atë Llupo.
Besimtarët ortodoksë të zonës, për shkak të problematikave që shfaq objekti i kultit, ritet fetare po i kryejnë në vende të tjera.
Kisha e “Shën Todrit” i përket periudhës pasbizantine.
Përpara viteve '90 ky objekt u kthye në një repart ushtarak dhe fshati ishte një vend për të internuarit.
/rtsh.al/