RTSH 24 Live

Politikë

Miratohet me 110 vota pro projektligji për amnistinë penale, kalon dhe amendamenti i Bardhit

04/04/2024

Miratohet me 110 vota pro projektligji për amnistinë penale, kalon dhe amendamenti i Bardhit

Partia Socialiste dhe Rithemelimi finalizuan dakordësinë e arritur pak kohë më parë.

Pas një seance maratonë në parlamentin e Shqipërisë është votuar amnistia penale me 110 vota pro dhe 1 kundër.

Sipas amendamenteve të dorëzuara në Kuvend, parashikohet falja e të gjithë protestuesve të opozitës, përjashtuar ata që kanë goditur punonjësit e policisë.

Prej amnistisë pritet të përfitojnë rreth 700 të burgosur dhe rreth 2500 persona në shërbim prove. Ka kaluar dhe amendamenti i parë i Gazment Bardhit për ndryshimin e datës për të përfituar nga amnistia deri në 31 mars 2024.

Amendamenti i Gazment Bardhit u miratua me 110 vota pro dhe 1 abstenim. Ndërkohë, u rrëzua nga Kuvendi amendamenti i Lulzim Bashës.

 

Përfitues të aministisë

-3150 të dënuar ne total. Nga këta

-2070 shërbim prove

-1080 me vendim të formës së prerë

-590 lirohen direkt nga burgu

-500 të tjerë përfitojnë ulje dënimi 1  - 1.5 vite

Janë 4 kategori që përfitojnë 

Kategoria I - Të gjithë që janë dënuar maksimalisht me 3 vite burg për burrat dhe 4 vite burg për gratë

Kategoria II - Të gjithë burrat që u kanë mbetur dhe 3 vite nga kryerja e dënimit dhe gratë që u kanë mbetur 4 vite burg. Pra mund të jesh dënuar me 9 apo 10 vite por të kanë mbetur 3 dhe 4 vjet. 

Kategoria III- Burrat që janë baraz 60 vjeç në momentin e hyrjes në fuqi të ligjit apo mbi 60 vjeç apo gratë 50 vjeç apo mbi 50 vjeç përfitojnë automatikisht

Kategoria IV - Fëmijët që kanë qenë në momentin e kryerje së dënimit baraz apo nën 18 vjeç

Përveç kategorive të përcaktuara përfituese të amnistisë, që përfshijnë gamë të gjerë të veprave që konsiderohen të lehta, përfitues do të jenë edhe të tjerët me nga një vit e gjysmë nëse janë gra e fëmijë dhe 1 vit nëse janë burra. Për këtë, është ndjekur strategjia e parimeve të humanizmit.

Nga amnistia penale nuk mund të përfitojnë kategori si dënuarit me burg përjetë, të arratisurit, vrasësit në rrethana cilësuese dhe të gjithë subjektet e dënuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.