Prodhimet në serat e fermerëve në fshatin Kosmaç të Bashkisë Vau-Dejës, rrezikojnë të dëmtohen këtë periudhë si pasojë e të nxehtit të tej zgjatur. Për të mos u mjaftuar nga temperaturat e larta ditët e fundit është shfaqur merimanga e zezë e cila ka dëmtuar në veçanti domaten. Marije Zefi fermerja e zonës na tregon se nga merimanga e zezë nuk është prekur asnjë prodhim tjetër.
Ndonëse ka kryer procesin e spërkatjes me ilaçe kundër kësaj sëmundje, sërish nuk ka dhënë efekt shprehet Marije Zefi. Megjithatë sipas saj domatja është e konsumueshme përderisa nuk përdoren pesticide.
Të kontaktuar nga RTSH Shkodra drejtues të Drejtorisë së Bujqësisë në Shkodër thanë se nuk kanë dijeni për këtë problematikë, duke qenë se fermerët nuk i kanë shprehur asnjë ankesë. Kosmaçi numëron rreth 84 hektarë sera duke e bërë një nga zonat më të rëndësishme të prodhimit të produkteve bujqësore, sidomos për veriun e vendit.
/RTSH/