Një kategori që i drejtohet urgjencës së spitalit rajonal “Omer Nishani” në Gjirokastër gjatë kësaj periudhe të ftohtë janë edhe të sëmurët kronikë.
Ata zënë një të katërtën e vizitave në 24 orë, duke u paraqitur me problematika të theksuara, si kriza hipertensive, vlera të larta të diabetit, probleme pulmonare etj.
"Ndonjëherë është e pritshme për të sëmurët hipertensive që të kenë kriza. Kemi shumë raste që na vijnë me edema në këmbë, nga mosmarrja e diuretikëve ose shkarkuesve të tjerë, si edhe të sëmurë që kanë pasur probleme të zemrës e mushkërive. Herë pas here vijnë të rënduar, me vështirësi të theksuar në frymëmarrje," thotë mjeku Bledar Çela.
Mjeku i urgjencës thotë se personat që vuajnë nga një e më tepër diagnoza duhet të kenë kujdes të shtuar sidomos gjatë stinës së dimrit.
Neglizhimi i simptomave të para ka bërë që në të shumtat e rasteve ata të paraqiten me gjendje të komplikuar shëndetësore.
"Kur fillojnë shqetësimet e para t'i japin një rëndësi kontrollit te mjeku i lagjes ose specialist. Kemi pasur raste të të sëmurëve të rënduar, që i dinin problemet e tyre, ishin ekzaminuar," shton mjeku.
Ajo çka theksojnë bluzat e bardha të urgjencës është që të sëmurët kronikë të paraqiten gjatë ditëve së javës, kur edhe shërbimi që mund të marrin është më i plotë me analizat apo ekzaminimet e tjera të domosdoshme.
Gazetare: Y. Ponde
/rtsh.al/