Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zhvilloi një takim me pensionistë, të cilët prej 1 janarit 2025 janë pajisur me abone të përgjithshme dhe udhëtojnë falas me transport publik. Ai tha se vendimi për ta bërë falas abonenë, në fillim për studentët, dhe tani edhe për gjyshet e gjyshërit e Tiranës, është një nga vendimet më të mira. Veliaj shpjegoi se mandati i parë u fokusua te fëmijët e vegjël me kopshtet e çerdhet, më pas për të rinjtë me shkollat e reja, ndërsa në këtë mandat vëmendja është fokusuar te shtresa më e moshuar e shoqërisë.
Ai tha se hapi tjetër në të mirë të të moshuarve është Karta e Pensionistit, e cila do të funksionojë njësoj si Karta e Studentit, përmes së cilës mund të përfitojnë ulje në shërbime të ndryshme, çka do të jetë një ndihmë e madhe për ta.
“Ashtu siç kemi bërë me Kartën e Studentit, me të cilën nuk japim vetëm abonenë e përgjithshme falas për studentët apo paguajmë gjysmën e tarifës së konviktit nga bashkia, por jepen edhe mbi 1.500 shërbime me ulje. Mendoj se ka ardhur koha që, si qytet të prodhojmë Kartën e Pensionistit, e cila do të jetë një kartë për rezidentët e Tiranës, pasi rimbursojmë shërbime vetëm për qytetarë të Tiranës, por mund të kthehet edhe në një model për qytetet e tjera”, tha Veliaj.
Ai shtoi se aktualisht, përveç abonesë falas, pensionistët e Tiranës përfitojnë edhe nga skema të tjera sociale të bashkisë, siç është ajo për veshjen falas me kapotë të pallatit të tyre.
/rtsh.al/