Qendrat shëndetësore dhe Urgjenca e Elbasanit janë duke u përballur me një fluks të lartë të pacientëve të cilët vijnë për të marrë mjekim nga virozat e stinës dhe gripit. Vetëm në shërbimin e Urgjencës paraqiten mbi 200 persona në ditë.
Sipas mjekëve ata vijnë në spital me temperaturë të lartë, ftohje dhe vështirësi në frymëmarrje. Disa raste bluzat e bardha i kanë hospitalizuar. Shumica e tyre janë persona të moshës së tretë dhe me sëmundje shoqëruese.
Mjeku Ergys Mici evidenton grupet e riskut dhe këshillon qytetarët sesi ta mbrojnë veten nga situata e ngarkuar virusale.
“Ne gjithmonë i porosisim të gjithë pacientët të kenë kujdes, të kufizohen sa më shumë në rast se kemi shfaqje të virusit në familje me qëllim mos shpërndarjen e virusit", tha mjeku.
Nga 200 raste në ditë, vetëm një pjesë e vogël e pacientëve kanë marrë hospitalizim, ku më së shumti janë persona që kanë sëmundje shoqëruese të zemrës apo të mushkërive.
/rtsh.al/