Konstituohet Këshilli i Emërimeve në Drejtësi për vitin 2025, si dhe janë caktuar edhe relatorët për vakancat në Kushtetuese. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), me praninë e të gjithë anëtarëve, të anëtarëve zëvendësues, Avokatit të Popullit dhe subjekteve që ftohen të marrin pjesë sipas ligjit, zhvilloi të mërkurën mbledhjen e tij të parë konstitutive, në ambientet e Gjykatës së Lartë.
KED, me përbërjen e re, të zgjedhur me short nga institucioni i Presidentit të Republikës, për të ushtruar kompetencat e detyrimet kushtetuese dhe ligjore për vitin 2025, ka diskutuar për të gjitha çështjet e paracaktuara për shqyrtim në rendin e ditës.
Në fillim të mbledhjes së KED, në lidhje me pikën e parë të rendit të ditës, bëri konstituimin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi.
Anëtarët e KED janë:
- Sokol Sadushi (Gjykata e Lartë)
- Marjana Semini (Gjykata Kushtetuese)
- Ilir Toska (Gjykata Kushtetuese)
- Alma Muça (Prokuroria e Përgjithshme)
- Fuat Vjerdha (Gjykatat e Apeleve)
- Enkela Vlora (Gjykatat e Apeleve)
- Irma Balli (Zyrat e Prokurorive pranë Gjykatave të Apelit)
- Etien Kapo (Zyrat e Prokurorive pranë Gjykatave të Apelit)
- Nafije Hasko (Gjykatat Administrative
- Marsida Xhaferllari (Gjykata Kushtetuese) – Anëtare Zëvendësuese
- Medi Bici (Gjykata e Lartë) – Anëtar Zëvendësues
- Thoma Jano (Prokuroria e Përgjithshme) – Anëtar Zëvendësues
- Elvana Çiçolli (Gjykatat e Apeleve) – Anëtare Zëvendësuese
- Genti Xholi (Zyrat e Prokurorive pranë Gjykatave të Apelit) – Anëtar Zëvendësues
- Bezart Kaçkini (Gjykatat Administrative) – Anëtar Zëvendësues
KED, gjatë mbledhjes, vlerësoi se me konstituimin e tij, duhet të angazhohet menjëherë për të përmbushur të gjitha kompetencat dhe detyrimet që i ngarkon Kushtetuta dhe ligji, të cilat janë unike dhe të pazëvendësueshme, lidhur me verifikimin, vlerësimin dhe renditjen e kandidatëve për pozicionet vaktante për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese.
Në zbatim të rendit të ditës, Këshilli u njoh me mbështetjen administrative, buxhetore, burimet njerëzore, me funksione të ndryshme të caktuar nga Gjykata e Lartë si personel mbështetës me kohë të pjesshme për veprimtarinë e KED, me qëllim përballimin e ngarkesës së punës së Këshillit gjatë vitit 2025.
Këshilli realizoi edhe procedurat e shortit elektronik për caktimin e anëtarëve relatorë për vendet vakante, të cilat janë aktualisht në proces shqyrtimi pranë KED. Për vendin vakant nga dorëheqja e gjyqtares Elsa Toska relatore u përzgjodh, Nafije Hasko.
Për vendin vakant nga Gjykata e Lartë, për shkak të mbarimit të mandatit të gjyqtares, Holta Zaçaj, relatore u përzgjodh, Enkela Vlora.
Gjithashtu, pas organizimit të shortit për caktimin e këshilltarëve të ngarkuar me mbështetjen e veprimeve të relatorëve për dy vendet vakante, u caktuan këshilltarë: Aulona Bodo, Alda Sadiku, Besmir Rrapaj, Sonila Hoxha, Iva Zemani, Bjorka Duka.
“Krahas angazhimit maksimal të këtij këshilli, shpejtësia e procesit të verifikimit, besueshmëria dhe integriteti i tij varet gjithashtu edhe nga kontrolli dhe informacionet që duhet të dërgohen nga institucionet publike e subjektet private, të cilat sipas dispozitave ligjore, duhet t’i kthejnë përgjigjet në kohën më të shpejtë të mundshme, me informacione të plota dhe të sakta në shërbim të realizimit me sukses të misionit kushtetues e ligjor të KED.”, thuhet në njoftimin për shtyp.
/rtsh.al/