RTSH 24 Live

Aktualitet

Elbasan- Arratisja nga komisariati i policisë i 2 të arrestuarve për vjedhje, pezullohen 3 policë

3 orë para

Elbasan- Arratisja nga komisariati i policisë i 2 të arrestuarve për vjedhje, pezullohen 3 policë

Arratisja nga komisariati i policisë i dy personave të akuzuar për “Vjedhje”, ka çuar në pezullimin nga detyra të 3 punonjësve të policie me funksionet N/Komisar dhe inspektorë, në Elbasan.  

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, për rajonin Elbasan – Korçë, njoftoi të martën se ka ekzekutuar urdhrin e Prokurorisë për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, e cila ka caktuar masën e sigurisë ndaluese “Pezullim i ushtrimit të një detyre a një shërbimi publik” për punonjësit e policisë të dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Efektivët e policisë të pezulluar, sipas njoftimit për shtyp, janë: N/Komisar Th.T., me detyrë Specialist për rendin pranë Komisariatit të Policisë Elbasan; Inspektor A.L., me detyrë Ndihmës Specialiste pranë Zyrës së Informacionit në Komisariatin e Policisë Elbasan; Inspektor A.B., me detyrë Përgjegjës i dhomave të sigurisë pranë DVP Elbasan.

 “Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore të kryera nga AMP, dyshohet se këta punonjës policie, në mos përmbushje të rregullt të detyrave të tyre funksionale, me veprime dhe mosveprime, nuk kanë marrë masa për parandalimin e arratisjes nga dhomat e sigurisë/ shoqërimit të Komisariatit të Policisë Elbasan, të shtetasve N.L. dhe E.P., ndaj të cilëve Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, të dyshuar për veprën penale “Vjedhja me dhunë”.”, njofton AMP.

Në lidhje me këtë ngjarje, më datë 31/12/2024 Drejtoria Rajonale e AMP-së ka bërë ndalimin me iniciativë për veprën penale “Shpërdorim i detyrës” ndaj punonjësit të policisë Inspektor Dh.D., me detyrë Trupë shërbimi vend roje në dhomat e shoqërimit në Komisariatin e Policisë Elbasan, ndërsa janë proceduar në gjendje të lirë për “Shpërdorim i detyrës” edhe punonjësit e policisë Inspektor A.H., me detyrë Trupë shërbimi vënd roje në DVP Elbasan dhe Inspektor A.B., me detyrë Përgjegjës i Dhomave të Sigurisë në DVP Elbasan.

“Vijojnë veprimet hetimore për nxjerrjen e përgjegjësive për punonjës të tjerë të policisë në DVP Elbasan”, përfundon njoftimi.

Masat

1.      Inspektor Dhimitër Doka, me detyrë Trupë shërbimi vënd roje në dhomat e shoqërimit, në Komisariatin e Policisë Elbasan (Është bërë ndalimi me iniciativë më datë 31.12.2024 për veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal)
2.      Nënkomisar Theofan Telo, me detyrë Specialist për Rendin, pranë Komisariatit të Policisë Elbasan, për veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal (Pezulluar).
3.      Inspektore Andeta Liçi, me detyrë Ndihmës Specialiste, pranë Zyrës së Informacionit, në Komisariatin e Policisë Elbasan, për veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal (Pezulluar).
4.      Inspektor Avni Tomor Bahja, me detyrë Përgjegjës i dhomave të sigurisë, pranë DVP-Elbasan, për veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal (Pezulluar).
5.      ⁠Inspektor Avni Hamzallari, me detyrë Trupë shërbimi vënd roje, në DVP-Elbasan, për veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal (Proceduar ne gjendje te lire).
6.      Inspektor Azem Bardhi, me detyrë Përgjegjës i dhomave të sigurisë, pranë DVP-Elbasan, për veprën penale të “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal (Proceduar ne gjendje te lire).

Ngjarja

Dy të paraburgosur mundën të arratisen mesditën e 31 dhjetorit 2024 nga ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë së Elbasanit.

Nazmi Liçi, 29 vjeç dhe Ervis Peqini, 33 vjeç ishin ndaluar nga policia e Elbasanit, ata akuzoheshin për vjedhje. Ata kishin marrë edhe masën e sigurisë në gjykatë “arrest me burg”.

Pasi ka mbaruar seanca dy të arrestuarit janë transportuar me makinë në ambientet e Drejtorisë së Policisë. Arratisja ka ndodhur në momentin kur dy të ndaluarit, pasi i kanë zbritur nga automjeti shërbimet e Policisë me qëllim kryerjen e procedurave për transferim në IEVP, kanë mundur të largohen me vrap nga ambientet e DVP Elbasan.

Pas disa orë kërkimesh nga policia, u bë e mundur kapja e Ervin Peqinit, ndërsa vijon ende puna për kapjen e tjetrit.

“Mesditën e sotme, shtetasit , pas masës së sigurisë në Gjykatën e Elbasanit, të ndaluar më datë 28.12.2024, për veprën penale "Vjedhja", pasi i kanë zbritur nga automjeti shërbimet e Policisë me qëllim kryerjen e procedurave për transferim në IEVP, këta shtetas kanë mundur të largohen me vrap nga ambientet e DVP Elbasan. Si rezultat i veprimeve policore është bërë e mundur kapja e njërit prej tyre, shtetasit E. P., dhe vijon puna për kapjen e shtetasit tjetër, N. L.”, njoftoi policia.

Në lidhje me këtë rast, Drejtoria e Standardeve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit nisi hetimin disiplinor ndaj punonjësve të Policisë, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore nisi hetimin penal.

 /rtsh.al/