RTSH 24 Live

Aktualitet

“Ari i zi”- Gjykata e Durrësit jep vendimin: Dy kapitenët e anijeve në burg, ekuipazhi nuk lejohet të dalë jashtë vendit

3 orë para

“Ari i zi”- Gjykata e Durrësit jep vendimin: Dy kapitenët e anijeve në burg, ekuipazhi nuk lejohet të dalë jashtë vendit

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ka dhënë vendimin në lidhje me personat e arrestuar nga dy anijet e huaja që u kapën me naftë kontrabandë teksa vinin në Portin e Durrësit. Pas një seance që ka zgjatur disa orë me radhë, kapitenët Mohammed Sallit dhe M. Khalila u lënë me masë sigurimi “arrest me burg”, kurse pjesëtarët e tjerë të dy ekuipazheve u lanë me masën “ndalim i daljes jashtë shtetit” dhe “detyrim paraqitje”.

Në dy ditë me radhë në Portin e Durrësit u ndaluan dy anije që vinin nga Tunizia, pasi në balastrat e tyre (dhoma që mbushen me ujë për balancimin e anijeve) u gjetëm më shumë se 1 milion litra naftë që po sillej për t’u shitur në vendin tonë. Policia e Durrësit zhvilloi dy operacione radhazi, “Ari i zi” dhe “Ari i zi 2” duke ndaluar në total 12 pjesëtarë e të dy ekuipazheve, shtetas të huaj, ndërsa shumë të tjerë janë në kërkim. Dy anijet e kontrabandës janë sekuestruar dhe janë në ruajtje në portin e Porto Romanos në Durrës.

/rtsh.al/