RTSH 24 Live

Politikë

Me 78 vota pro, Bajram Begaj zgjidhet Presidenti i 8-të i Shqipërisë

04/06/2022

Me 78 vota pro, Bajram Begaj zgjidhet Presidenti i 8-të i Shqipërisë
Bajram Begaj në Kuvend pas zgjedhjes President

Bajram Begaj do të jetë Presidenti i Shqipërisë për 5 vitet e ardhshme. Ai është votuar sot (4 qershor) në raundin e katërt dhe të parafundit në Kuvend me 78 vota pro, 4 kundër dhe 1 abstenim.

Votën e tyre e dhanë 83 deputetë, ku 74 ishin deputetë të Partisë Socialiste, 3 të Lëvizjes Socialiste për Integrim, 3 të Partisë Për Drejtësi Integrim dhe Unitet si dhe 3 të Partisë Social Demokrate.

Duket se nga opozita ka “rrjedhur” 1 votë, për shkak se numri i votave të PS-së dhe PSD-së së bashku është 77, ndërkohë Begaj u zgjodh me 78 vota pro.

Begaj, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, do të jetë presidenti i 8-të i vendit që pas shpalljes së pluralizmit.

Ai u prezantua mbrëmjen e të premtes nga maxhoranca socialiste, ndërsa zgjedhja e Begajt në krye të shtetit është kundërshtuar nga opozita që e cilësuan si kandidaturë “personale të Ramës”.

Ish-kryeministri Sali Berisha së bashku me deputetët demokratë, pjesë të Komisionit të Rithemelimit, braktisën sallën e Parlamentit kur nisi votimi, ndërsa më parë kishin thënë se do të ishin të pranishëm por nuk do të votonin pro asnjë kandidati të PS për President. Ndërkohë deputetët e tjerë demokratë, që mbështesin Enkelejd Alibeajn, po ashtu nuk ishin të pranishëm në sallën e Kuvendit.

Bajram Begaj, 55 vjeç, ka përfunduar studimet pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, Dega Mjekësi e Përgjithshme dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Mjekësi” në vitin 1998. Edhe karriera e tij në ushtri lidhet në pjesën më të madhe me profesionin e mjekut. Ndërsa përpara se të merrte detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, në vitin 2020, për një periudhë 3 vjeçare, detyrë nga e cila u lirua sot, ka shërbyer në detyrën e komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.

Begaj do të marrë mandatin 5-vjeçar, zyrtarisht më 24 korrik, kur edhe të përfundojë mandati i Ilir Metës.

/rtsh.al/