RTSH 24 Live

Politikë

PS propozon Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA, Bajram Begaj për President, votohet të shtunën nga Kuvendi

03/06/2022

PS propozon Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të FA, Bajram Begaj për President, votohet të shtunën nga Kuvendi
Kryeministri Edi Rama

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bajram Begaj është emri që Partia Socialiste do t’i dërgojë Kuvendit si kandidaturën zyrtare për t’u votuar ditën e shtunë (4 qershor) si Presidenti i ri i vendit. Vendimi u mor sot në mbledhjen e Kryesisë së PS, teksa kryeministri Edi Rama sqaroi se Begaj u përzgjodh nga një listë prej 26 kandidaturash.

Dakordësuam që PS i takon që në këtë moment të shkojë përtej vetes sepse duhet t’u japi shqiptarëve një kryetar shteti që nuk ka një karrierë politike në PS, por që rrezaton atë normalitet, qytetari dhe mirësi për të cilën ka nevojë sot qytetarët dhe jemi përqendruar në bllokun e tretë që ka patur 26 kandidatura që janë shoshiqtur në një numër të caktuar xhiros në tryezën e diskutimit dhe arritëm në konkluzionin që PS do të mbështesë Bajram Begën, shefi aktual i Forcave të Armatosura për të qenë president i Republikës së Shqipërisë", tha Rama pas mbledhjes.

I pyetur nga gazetarët se përse ishte zgjedhur pikërisht Begaj, Rama tha se ai përfaqëson shëmbëlltyrën e qytetarisë dhe shërbimit për të cilin ka nevojë zyra e kreut të shtetit.

Sepse është shëmbëlltyra e atij normaliteti e asaj qytetarie, e atij sensi ndaj shërbimit të njerëzve që ajo zyrë ka një nevojë urgjente. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm është një ndër kandidaturat e propozuara nga grupi i PS. Unë nuk kam qenë një nga propozuesit. Ishte një diskutim tërësisht i hapur me një frymë pozitive dhe sens përgjegjësie gjë që kemi nevojë në mbledhjet tona të brendshme. Më vjen keq që shumë njerëz brenda PS duke nga Sekretari i Përgjithshëm u zhgënjyen pozitivisht”, tha kryeministri.

Para se të shkojë në Kuvend, emri i Begajt do t’i dërgohet paraprakisht Grupit Parlamentar të PS, që do të mblidhet paraditen e së shtunës rreth orës 10:00 dhe nga ku do të mblidhen dhe firmat e nevojshme. Duhen të paktën firmat e 20 deputetëve për mbështetjen e një kandidati për President të Republikës, që më pas do të depozitohen zyrtarisht në Kuvendin e Shqipërisë.

Afati maksimal i përcaktuar nga Konferenca e Kryetarëve është ora 12:00 e 4 qershorit, ndërsa më pas, në orën 16:00 do të mblidhet komisioni i ligjeve, që do të shqyrtojë kriteret ligjore kushtetuese të kandidatit të propozuar nga PS.

Kuvendi do të zhvillojë nesër në orën 18:00 raundin e katërt për zgjedhjen e Presidentit të ri, teksa Partia Socialiste ka deklaruar se do t’i japin vendit Kreun e ri të Shtetit. Partia Socialiste i disponon votat për zgjedhur e vetme Presidentin e ri, pasi sipas Kushtetutës, në raundin e  katërt dhe të pestë, ai mund të zgjidhet me 71 vota.

Presidenti aktual Ilir Meta është zgjedhur nga Kuvendi më 29 prill 2017, ndërsa mandati i tij përfundon më 24 korrik.

/rtsh.al/