RTSH 24 Live

Ekonomi

Mbidyfishim të bonusit të pensionistëve? Ibrahimaj: Ja cilat pensione do rriten të parat

01/11/2024

Mbidyfishim të bonusit të pensionistëve? Ibrahimaj: Ja cilat pensione do rriten të parat

Qeveria nuk e ka vendosur ende sa dhe kur, por e di me siguri se pensionet më të vogla janë pensionet që ndodhen në krye të listës për rritjen e tyre.

Rendin e prioriteteve për rritjen e bonusit të fundvitit dhe të pensioneve më të vogla e tregoi në emisionin “Pa Censurë”, Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj. “Shifrat janë ende duke u llogaritur. Ajo që dua të theksoj është se bonusin nuk po e mendojmë si një zgjidhje për këtë vit, prandaj nuk ka një shifër konkrete. Po mendohet si një bonus që do të rritet dhe do të qendrojë i rritur edhe për vitet në vijim. Këtë analizë të kujdesshme po e bëjmë edhe për qëllimin tjetër, rritjen e disa kategorive të pensioneve që realisht janë shumë të ulëta,” u shpreh ministrja Ibrahimaj.

Megjithëse shifrat janë ende duke u llogaritur, Ministrja e Sipërmarrjes, pjesë e grupit të punës për çështjen e pensioneve, pohoi se ekziston një ide sesa do të jetë bonusi i fundvitit. Dhe gjasat janë shumë optimiste për një rritje domethënse.

Ministrja Ibrahimaj nuk e mohoi dyfishimin e bonusit tradicional prej 50 euro.

“Mendohet se do të jetë shumë më e lartë sesa 50 mijë lekë të vjetra”- tha Ministrja Ibrahimaj, duke iu përgjigjur pyetjes së gazetares Elona Meço, nëse do të jetë të paktën dyfishi.

Shumë më e lartë” nuk ka fund, por do të jetë ndjeshëm më e lartë sesa ajo që është dhënë vitet e kaluara. Patjetër që ne duam të japim sa më shumë për pensionet, por është shumë e rëndësishme për të qenë realist dhe me këmbë në tokë, pasi një rritje e pamenduar dhe e pamatur mund të bënte që në harkun kohor të 4-5-6 vitesh të çonte në një kolaps të financave publike , që do të sillte përkeqësim jo vetëm të jetës për pensionistët, por të gjithë ekonomisë, që po e konsolidojmë me shumë mund,” u shpreh Ministrja për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, e cila beson se një kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim do të japin bizneset me deklarimet reale të punonjësve dhe të pagave të tyre.

Gazetare: Elona Meço

/ rtsh.al /