RTSH 24 Live

Aktualitet

Mashtrimi me kriptovalutat, SPAK dërgon për gjykim 5 persona: Shkaktuan 6.1 milionë euro dëm financiar

10/02/2024

Mashtrimi me kriptovalutat, SPAK dërgon për gjykim 5 persona: Shkaktuan 6.1 milionë euro dëm financiar

SPAK ka dërguar për gjykim 5 të arrestuarit lidhur me mashtrimet për kripotovalutat që bënin përmes kompanive “call center” në disa vende të Europës. SPAK dërgon për gjykim në GJKKO, Adrian Korrikun, Irisa Pucan, Merxhan Çelikun, Endri Bulkun, Erlind Cekajn, të cilët akuzohen për “Mashtrim kompjuterik”, “Grupi i strukturuar kriminal”, dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale.

Arrestimi i tyre dhe zbërthimi i të gjithë skemës së mashtrimit u bë në nëntor të 2022, ku SPAK në bashkëpunim me EUROJUST dhe autoritetet gjyqësore të Spanjës, Gjermanisë, Suedisë, Finlandës, Letonisë, Ukrainës, Gjeorgjisë, Maqedoni e Veriut, etj., ngritën Skuadrën e Përbashkët Hetimore.

Objekt i hetimit ishin një sërë kompanish të cilat kanë kryer aktivitetin e “call center”, duke kryer dhe mashtrimet online në platforma mashtruese të shtetasve europianë. Këto kompani lokalizoheshin në disa shtete, si Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Ukraina, Gjeorgjia etj., të cilat drejtoheshin ose koordinoheshin nga “Milton Group”.  Grupi kriminal ka operuar me dhjetëra platforma mashtruese gjatë viteve të fundit.

Sipas SPAK “personat nën hetim kishin lidhje me Milton Group, që ka organizuar veprimtarinë kriminale të mashtrimit kompjuterik online, në mjaft shtete të Europës Perëndimore.”

4 personat në hetim qëndronin prapa platformave mashtruese ose punonin për kompanitë që ofrojnë shërbime për platformat. Gjithashtu ka rezultuar se Merxhan Çeliku, kishte komunikime të drejtpërdrejta me viktimat e mashtrimit në Austri dhe Gjermani, nëpërmjet këtyre platformave. Dëmet e shkaktuar arrijnë në 6.1 milionë euro.

"Dëmet e shkaktuara në platformat “AurumPro”, “Fianxis” dhe “AGMarkets”, (me 67 kallzime penale në zyrën qëndrore kibernetike në Bavari), llogariten me një dëm të përgjithshëm prej 1.8 milionë Euro. Në platformën CentroBanc, ka 35 kallzime penale, me një dëm total prej 1.7 milionë Euro. Për platformën CapitalMarketsBanc, ka 40 ankesa, me një dëm të konstatuar prej 1.6 milionë Euro. Për platformën Cryptokartal ka 31 kallzime penale, me një dëm të përgjithshëm, prej 1 milionë Euro. Përveç Rajonit të Bavarisë ku janë këta të dëmtuar, edhe shumë prokurori të tjera publike në Gjermani kanë ankesa për të dëmtuar të tjerë në këto platforma, të cilat janë në pritje, kështu që dëmi i përgjithshëm supozohet të jetë shumë më i lartë. Disa nga të dëmtuarit nga Rajonet e tjera federale tashmë janë regjistruar në platformat e tjera “Centrobanc”, “CapitalMarketsBanc” dhe “Cryptokartal””, njofton SPAK.

Si rezultat i këtij operacioni ndërkombëtar, në Shqipëri janë kontrolluar 11 ambiente në Tiranë, Elbasan dhe Vlorë, të cilat gjatë periudhës hetimore kanë patur dhe ndryshime vendndodhjesh, emërtimesh, por dhe bashkime me njëra tjetrën, për efekt të fshehjes nga organet ligjzbatuese.

Gjatë operacionit janë sekuestruar rreth 300 pajisje kompjuterike, laptop, usb, hard disqe, prova të tjera dixhitale dhe dokumente të shumta, portofole kriptovalutash në vlerën afërisht 15.000 USD dhe cash 90.000 Euro, dokumente identifikimi të shtetasve lituanezë dhe gjeorgjianë, karta banke lituaneze etj.

/rtsh.al/