RTSH 24 Live

Aktualitet

Siguria kibernetike në rajon, mungojnë ekspertët për mbrojtje efektive

5 orë para

Siguria kibernetike në rajon, mungojnë ekspertët për mbrojtje efektive

Teksa në Tiranë u mblodhën ekspertë të fushës për sigurinë kibernetike, kreu i Autoritetit Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) ngriti shqetësimin se mungojnë ekspertët për mbrojtje efektive.

"Një nga problemet më të mëdha, me të cilat përballemi, është mungesa e kapaciteteve dhe burimeve njerëzore në fushën e sigurisë kibernetike. Duhet të gjejmë alternativa efektive për të ndërtuar kapacitete dhe për të forcuar mbrojtjen tonë kibernetike. Me rëndësi është ndërtimi i një mjedisi të qëndrueshëm përballë teknologjive të avancuara, si inteligjenca artificiale, superkompjuterat, blockchain dhe teknologji të tjera, të cilat mund të jenë të dobishme për mbrojtjen tonë, por nëse bien në duart e aktorëve keqdashës mund të përbëjnë një rrezik serioz për stabilitetin dhe sigurinë kibernetike," u shpreh Igli Tafa, kreu i AKSK-së.

Këto deklarata u bënë gjatë takimit rajonal për Sigurinë Kibernetike në kuadër të Ditës së Internetit të Sigurt, me fokus forcimin e bashkëpunimit rajonal për sigurinë kibernetike.

Mes diskutantëve u ra dakord që vëmendje e veçantë t'i kushtohet rritjes së qëndrueshmërisë digjitale, shkëmbimit të praktikave më të mira dhe nxitjes së nismave të përbashkëta për të mbrojtur ekosistemin kibernetik në Evropën Juglindore.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/