RTSH 24 Live

Sociale

Masat për parandalimin e përmbytjeve, mblidhet komisioni i mbrojtjes civile në Lezhë

8 orë para

Masat për parandalimin e përmbytjeve, mblidhet komisioni i mbrojtjes civile në Lezhë

Teksa reshjet e shiut janë prezentë që prej nisjes së stinës së vjeshtës, ku nuk kanë munguar dhe problematikat, institucionet vendore në Lezhë janë vënë në lëvizje. Nën drejtimin e prefektit Gjergj Prendi u zhvillua takimi i Komisionit të Mbrojtjes Civile në rang qarku, ku është kërkuar nga  bashkitë, që të ezaurohen të gjitha mundësitë në raste emergjencash dhe më pas të kërkohet mbështetje e institucioneve qendrore.

“Gjithmonë nëse rasti evidentohet në kohë, shfrytëzohen të gjitha kapacitetet logjistike, financiare, njerëzore të bashkisë, atëherë ne jemi pranë një hapi shumë të mirë. Vetëm në këtë kohë ne kemi të drejtë të kërkojmë nga Ministria e Mbrojtes, Ministria e Rendit forca shtesë”, u shpreh Gjergj Prendi, Prefekti i qarkut Lezhë.

Furnizimi me energji elektrike i hidroforëve është parësore për të shmangur përmbytjet u shpreh prefekti Prendi.

Referuar dhe eksperiencave të viteve të shkuara Lezha dhe Kurbini, janë më të rriskuarat nga përmbytjet, ndaj dhe vëmendja më e madhe e autoriteteve do të jetë e përqendruar në këto bashki për përballimin e çdo situate që mund të krijohet nga moti i keq.

/RTSH/