RTSH 24 Live

Politikë

Votimi elektronik, PS-PD ndryshojnë qëndrimet. Shehi këmbëngul për Tiranën, Basha akuza Berishës

2 orë para

Votimi elektronik, PS-PD ndryshojnë qëndrimet. Shehi këmbëngul për Tiranën, Basha akuza Berishës

Në prag të zgjedhjeve parlamentare të 2025, votimi dhe numërimi elektronik, është kthyer sërish në qendër të debatit politik. Shkak për këtë është bërë një shkresë e KQZ-së, e cila u propozoi forcave politike që votimi dhe numërimi elektronik të bëhet vetëm në qarqet e Elbasanit dhe Durrësit.

Votimi dhe numërimi elektronik është kryer në mënyrë të pjesshme si në zgjedhjet vendore dhe ato parlamentare dhe në tërësi ka qenë i rregullt, pa probleme që mund të cenonin tërësinë e procesit zgjedhor.

Por ajo që bie në sy është fakti se dy aktorët kryesorë politikë kanë ndryshuar qasjen lidhur me votimin dhe numërimin elektronik. Në 2017 ishte PD, e cila kërkonte me ngulm që votimi dhe numërimi elektronik të shtrihej në të gjithë vendin, kurse PS kërkonte që ky lloj votimi të eksperimentohej në dy-tre zona-kampion, të zhvillohej një debat me ekspertë të fushës, të shihej përvoja ndërkombëtare dhe më pas të vendosej për hapat që do të hidheshin.

Por tani PD ka ndryshuar qëndrim, duke deklaruar se është kundër votimit dhe numërimit elektronik. Ndërkohë PS i kërkon KQZ-së që përveç Elbasanit dhe Durrësit, votimi dhe numërimi elektronik të zhvillohet edhe në Tiranë. LZHK-ja po ashtu është për votimin elektronik që të kryhet edhe në Tiranë.

Argumentet e PS-së për votimin elektronik në Tiranë

Partia Socialiste iu përgjigj dy ditë më parë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke i kërkuar që krahas qarkut Elbasan dhe Durrës, votimi elektronik të shtrihet edhe në Tiranë. PS-ja, në shkresën dërguar KQZ-së, argumenton se votimi elektronik do të sillte lehtësia në procesin e votimit në Tiranë e po ashtu edhe në shpalljen e rezultatit përfundimtar që, sipas tyre, do të shmangte edhe pretendimet e mundshme për pavlefshmëri nga numërimi i votave.

Një tjetër arsye pse votimi elektronik duhet ët aplikohet në Tiranë, sipas PS-së, është edhe afërsia e KQZ-së me zonat zgjedhore.

Tirana, si qarku më i madh në Shqipëri prodhon një numër të konsiderueshëm mandatesh (37 mandate në listat shumë emërore të hapura). Nisur nga ky fakt, fleta e votimit do të administrohej me vështirësi nga votuesit dhe do të krijonte pengesa objektive, duke krijuar konfuzion në procesin e votimit. Nga ana tjetër, votimi elektronik do të sillte lehtësira jo vetëm në procesin e votimit por dhe në shpalljen e rezultatit përfundimtar, i cili në këtë rast do të konsiderohet i drejtë dhe pa pretendime për pavlefshmëri që rrjedhin nga numërimi i votave.

Tashmë votimi elektronik është një procesi i njohur nga qytetarët e Republikës së Shqipërisë. Nisur nga fakti që Tirana, e para ka realizuar modelin pilot të identifikimit, votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet e vitit 2021, njësia 10, është krijuar një eksperiencë nga qytetarët në këtë proces. Nga ana tjetër, është fakt se qarku Tiranë, ofron të gjitha kushtet optimale sa i takon burimeve njerëzore dhe infrastrukturës në tërësi për realizimin me sukses të këtij procesi. Vlen për tu përmendur, afërsia e KQZ me zonat zgjedhore, pasi do të jetë kjo e fundit që do të trajnojë aktorët dhe do të ofrojë shërbimin për realizimin efektiv të këtij procesi”, argumenton PS-ja.

Në rast të pamundësisë së KQZ-së për ta shtrirë votimin elektronik në të tria qarqet, për shkak të kohës së paktë në dispozicion, PS-ja propozon që të miratohet qarku i Tiranës, si i vetmi ku duhet të realizohet votimi elektronik.

Nëse nga ana juaj shihet e pamundur përfshirja e tre qarqeve në votimin elektronik, për shkak të kohës që keni në dispozicion deri në dekretimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin e Shqipërisë, ju propozojmë që të miratoni si qark të vetëm, qarkun Tiranë, ku do të zhvillohet votimi elektronik. Për të gjitha arsyet e parashtruara më sipër, propozojmë përfshirjen e qarkut Tiranë, krahas qarkut Elbasan dhe Durrës në zhvillimin e votimit elektronik. Në rast pamundësie të përfshirjes së tre qarqeve, kërkojmë që zhvillimi elektronik të zhvillohet në qarkun e Tiranës”, shkruhet në letrën e PS-së.

Tri argumentet e PD-së kundër votimit elektronik

Partia Demokratike duket se ka reflektuar qëndrimin e saj lidhur me votimin dhe numërimin elektronik, në zgjedhjet parlamentare të vitit 2025.

Përmes një shkrese dërguar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, pas kërkesës së opinionit ndaj partive politike nga ky organ, demokratët, nën firmën e Sekretarit për Çështjet Ligjore dhe Zgjedhore në PD, Ivi Kaso, radhiten tre arsye kryesore për këtë qëndrim.

  • I pari është pretendimi se ende nuk është bërë transparencë e plotë, lidhur me problematikat që e kanë karakterizuar këtë proces në dy zgjedhjet paraardhëse.
  • I dyti lidhet me mungesën e pretenduar të mekanizmave efikase të adresimit të problematikave të konstatuara.
  • Teksa i treti, me një presion të pretenduar në një kohë të pamjaftueshme për një implementim efikas të teknologjisë në zgjedhjet e ardhshme.

“Procesi i votimit dhe numërimit elektronik është propozuar nga Partia Demokratike dhe opozita e sotme në vitin 2012, ku pavarësisht konsensusit politik në Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe parashikimit ligjor të mëpasshëm, për ta pilotuar këtë projekt në zgjedhjet e vitit 2013, kjo përpjekje u pamundësua nga opozita e asaj kohe Partia Socialiste e Shqipërisë, sot shumicë qeverisëse.

Platforma e Opozitës për Çlirimin e Zgjedhjeve, e vitit 2016, e vendosi përsëri si prioritet procesin e votimit dhe numërimit elektronik, duke e konsideruar atë si një nga shtyllat kryesore të platformës dhe si një hap cilësor drejt qëllimit të organizimit të zgjedhjeve me standarde ndërkombëtare. Ky vizion dhe këmbëngulje e Partisë Demokratike, solli në implementimin e pjesshëm të këtij projekti në zgjedhjet për Kuvendin të vitit 2021 në njësinë administrative nr. 10, Bashkia Tiranë dhe në bashkitë Elbasan dhe Kamzë në zgjedhjet e datës 14 maj 2023. Pavarësisht kësaj, implementimi i pjesshëm i këtij projekti, krahas disa avantazheve dhe suksesit të pjesshëm solli edhe një seri problematikash të cilat jo vetëm e cenuan rëndë procesin, por edhe minuan në mënyrë serioze besimin e publikut dhe të forcave politike në të.”, thuhet ndër të tjera në letrën e PD-së dërguar KQZ-së.

Basha: Refuzimi i Berishës për votimin elektronik, akt poshtërues për demokratët

Edhe kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar pas refuzimit nga ana e Partisë Demokratike për votimin dhe numërimin elektronik. Ai e cilësoi liderin demokrat, Sali Berisha, “patericë të Ramës.”

“Të flakësh në plehra betejën disavjeçare të demokratëve për votim dhe numërim elektronik, është një akt poshtërues, që dëshmon edhe njëherë se Berisha dhe grupimi i tij u shërbejnë vetëm interesave të tyre të vogla dhe meskine”, u shpreh Basha në rrjetet sociale.

Sipas tij, pasi bashkoi votat me Ramën për faljen e "të korruptuarve, pasi bashkoi votat me Ramën për mbylljen e listave, pas pazarit për vulën, Berisha ka humbur çdo legjitimim moral dhe politik, duke u shfaqur si paterica e Ramës, me të cilin ndanë të njëjtin fat".

Basha thekson se frika e tyre përballë qytetarëve, që e kanë kuptuar pazarin e pistë me sabotimin e Komisionit të Reformës Zgjedhore, del sërish në sipërfaqe me pengimin e votimit elektronik, përmes të cilit duan të mbrojnë pushtetin e Ramës dhe teatër-opozitën e Berishës. 

LZHK: Përveç Elbasanit dhe Dibrës, votim elektronik edhe në Tiranë

Partia Lëvizja për Zhvillim Kombëtar propozoi që përveç Elbasanit dhe Durrësit, votimi dhe numërimi elektronik të bëhet edhe në Tiranë. Sipas një dokumenti zyrtar, propozimi i LZHK-së lidhet me një propozim të bërë nga Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, i cili u propozoi partive votimin elektronik vetëm në qarqet e Elbasanit dhe Durrësit.

Në përgjigjen dërguar KQZ-së nga kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi, propozohet që në qarqet ku mendohet të zhvillohet votimi elektronik për zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvendin e Shqipërisë të bashkëngjitet edhe Qarku i Tiranës.

Sipas LZHK-së, Qarku i Tiranës është qarku me peshën më të madhe politike dhe elektorale, kështu që është “domosdoshmëri vendosja e identifikimit votimit dhe numërimit elektronik në Tiranë.”

“Tirana ofron lehtësi logjistike dhe njerëzore për shkak të terrenit, infrastrukturës rrugore dhe zyrave të KQZ-së që ndodhen në Tiranë. Tirana ka kryer e para modelin pilot të identifikimit votimit dhe numërimit elektronik në zgjedhjet e vitit 2021, njësia 10, i cili rezultoi i suksesshëm. Votimi dhe numërimi elektronik në Tiranë bën më të thjeshtë përpunimin e rezultatit përfundimtar si dhe ofron një proces të drejtë zgjedhor, duke mënjanuar komisionerët politikë të cilët krijojnë vonesa në proces për shkak të lodhjes apo tensioneve midis palëve”, argumenton LZHK në shkresën dërguar KQZ-së.

/rtsh.al/