RTSH 24 Live

Sport

Botërori i mundjes në Tiranë, Prizreni: 2.300 pjesëmarrës dhe 1.500 sportistë nga e gjithë bota

18/10/2024

Botërori i mundjes në Tiranë, Prizreni: 2.300 pjesëmarrës dhe 1.500 sportistë nga e gjithë bota

Nga 21 tetori, për 11 ditë me radhë në Kompleksin Sportiv “Feti Borova” në Tiranë do të organizohet kampionati Botëror U-23 dhe Botërori i të rriturve për peshat joolimpike në mundje.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Mundjes, Sahit Prizreni, në një intervistë televizive u shpreh se do të marrin pjesë rreth 2.300 pjesëmarrës dhe rreth 1.500 sportistë nga e gjithë bota.

Janë rreth 2.300 pjesëmarrës dhe rreth 1.500 sportistë nga e gjithë bota. Nisim më datë 21 dhe përfundojmë në 31 tetor. Në datën 28 nis Botërori i të rriturve që e bën më interesante, sepse janë sportistët më elitarë”, tha Prizreni.

Pas medaljeve historike në Olimpiadën e Parisit dhe 7 të tjerave në Kampionatin Ballkanik, Federata e Mundjes ka pretendime edhe në Botërorin që do të zhvillohet në shtëpi.

Marrim pjesë me të gjithë peshat tek të rriturit. Mendoj se janë 8 pesha tek dy stilet. Do të përmend dy emra për të mos ngatërruar pjesën tjetër. Shpresat më të mëdha i kemi te Kevin Kupi, është Sina, por edhe vajza jonë Albina, e cila vetëm 1 muaj më parë u shpall nënkampione ballkani në Kroaci. Besoj do jetë surpriza e këtij Botërori”, deklaroi Prizreni,

Kampionati Botëror U-23 dhe ai për të rritur në “Feti Borova” do të jenë falas për publikun.

Është taksative që të vendoset një biletë, por dua ta shmang këtë pjesë, sepse dua që salla të jetë plot. Mendoj se salla do të jetë e tejmbushur”, u shpreh Prizreni.

Organizimet e federatës shqiptare të mundjes nuk mbyllen me kaq, pasi më 27 tetor do mbahet në Shijak edhe Kongresi Botëror i Mundjes. /ATA

/ rtsh.al /