RTSH 24 Live

Aktualitet

Sulmet hibride, Hoxha: Infrastrukturës dezinformuese ruse i janë shtuar portale në gjuhën shqipe

10 orë para

Sulmet hibride, Hoxha: Infrastrukturës dezinformuese ruse i janë shtuar portale në gjuhën shqipe

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha i pranishëm në një seancë dëgjimore në komisionin e Posaçëm “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”, ngriti shqetësimin për platforma online që fokus kanë dezinformimin, frymëzuar nga Rusia. Ministri theksoi se Infrastrukturës dezinformuese ruse i janë shtuar portale në gjuhën shqipe.

“Duhet qasje e integruar, ndërinstitucionale dhe gjithëpërfshirëse. Vendet kryesore nga të cilat realizohen këto sulme janë: Rusia, Kina, Irani dhe Koreja e Veriut. Shqipëria është më pak e prekur dhe e ndikuar nga këto infrastruktura ruse deziformuese. Infrastrukturës deziformuese ruse në rajon i janë shtuar portale edhe në gjuhën shqipe, ato kanë shikueshmëri dhe lexueshmëri të kufizuar dhe numër të vogël klikimesh", vuri në dukje Hoxha.

Hoxha tha se Shqipëria e konsideron aftësinë për t’iu përgjigjur sulmeve hibride si një prioritet me qëllim ruajtjen e rendit dhe sigurisë kombëtare dhe garantimin e sigurisë kombëtare.

"Ministria e Brendshme e ka vlerësuar të domosdoshme marrjen e masave të qëndrueshme dhe efektive për parandalimin, mbrojtjen dhe reagimin efektiv ndaj këtyre kërcënimeve. Tashmë ka një vlerësim të përbashkët të institucioneve në përballja me kërcënimet hibride e cila kërkon një qasje të integruar dhe ndërinstitucionale gjithëpërfshirëse, duke përfshirë këtu bashkëpunimin dhe koordinimin mes të gjitha strukturave dhe agjencive shtetërore që janë të angazhuara në fushën e sigurisë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. 
Në këtë kuadër rritja e qëndrueshmërisë në infrastrukturën kritike të informacionit; forcimi i kapaciteteve për zbulimin, parandalimin dhe kundërshtimin e kërcënimeve hibride, përmes investimeve në teknologji; edukimi i publikut dhe forcimi i institucioneve demokratike, mbeten jetike për përmbushjen e objektivave strategjikë për përballimin e kësaj sfide", tha Hoxha.

Kjo është seanca e fundit dëgjimore që ka përcaktuar komisioni për këtë proces.

/rtsh.al/