Drejtoresha e përgjithshme e ATSH-së, Valbona Zhupa priti të mërkurën në një takim drejtuesin e Anadolu Ajansi (AA) për gjuhën shqipe dhe maqedonase, Ahmet Nurduhan.
Gjatë takimit, Zhupa dhe Nurduhan vlerësuan bashkëpunimin mes dy agjencive dhe rëndësinë e zgjerimit në vijim në shkëmbimin e lajmeve.
Zhupa tha: “Zgjerimi i këtij bashkëpunimi mes ATSH dhe AA, si dy nga agjencitë më të vjetra në Ballkan, është i rëndësishëm, jo vetëm për shkëmbimin e lajmeve në kohë reale, por edhe për rolin që agjencitë zyrtare të lajmeve kanë përballë “fake news””.
“Problem mbetet pavërtetësia e informacioneve që shpërndahen në rrjetet sociale. Zgjerimi i bashkëpunimit do të ndihmojë mbi të gjitha në luftën kundër lajmeve të pavërteta pasi agjencitë zyrtare të lajmeve kanë qenë dhe janë pararojë në luftën kundër dezinformimit”, nënvizoi Zhupa.
Drejtoresha e përgjithshme e ATSH, Valbona Zhupa u shpreh: “Rrjetet sociale janë kthyer në një hapësirë të shpërndarjes së dezinformacionit dhe lajmeve të rreme, të cilat shpesh manipulojnë opinionin publik, ndaj lufta dhe përpjekjet tona është që të jemi të vërtetë, të paanshëm dhe të saktë në dhënien e informacionit.”
Nga ana e tij, Nurduhan falënderoi drejtoreshën Zhupa për mikpritjen dhe shprehu besimin e vazhdimit të bashkëpunimit midis dy agjencive.