Policia e Pogradecit ka shtuar kontrollet intensive bazuar në inteligjencën policore për parandalimin dhe goditjen e armëmbajtjes pa leje. Falë këtyre kontrolleve është finalizuar nga Komisariati i Policisë Pogradec operacioni policor i koduar "Gurrasi", ku gjatë operacionit është goditur një rast i armëmbajtjes pa leje, si dhe janë sekuestruar armë zjarri kallashnikov, municion luftarak, kapsolla detonatorë e elektrike e fitil zjarr përcjellës. Policia ka mundur të verë në pranga edhe personin që i zotëronte.
“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas mbante armë zjarri në banesë, kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit Xh. C . Gjatë kontrollit të banesës, shërbimet e Policisë gjetën një armë zjarri automatik, një sasi municioni luftarak, kapsolla detonatorë dhe elektrike dhe fitil zjarr përcjellës, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Xh. C ., 65 vjeç dhe materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.”, njofton policia.
/rtsh.al/