Rohan Yzeiraj, vetëm 9 vjeç, ishte përfaqësuesi i Shqipërisë në Mini Karting të organizuar nga FIA MotorSport Games 2024 në Valencia të Spanjës. Edhe pse në një moshë fare të vogël, falë talentit të tij, Rohani arriti të kualifikohej në vendin e 13-të në garën e fundit mes 42 shteteve të tjera garuese.
“Unë ndihem shumë mirë. Jo çdo fëmijë mund ta provojë në jetën e tyre këtë eksperiencë. U gëzova shumë që isha aty dhe garova me aq shumë veta, që mund të kishin nga 20 kupa në shtëpi. Unë ika dhe lashë gjurmën time me pak vite trajnim,” u shpreh Rohani në një intervistë për “Mirëmëngjesi Shqipëri” në RTSH.
I pyetur se si nisi pasioni i tij për karting, Rohani u shpreh se kur ishte 6 vjeç ai shkoi për herë të parë në një pistë dhe kuptoi që adrenalina i jepte emocione të veçanta.
Prej më shumë se dy vitesh, ai stërvitjen dhe trajnimin në karting e ka bërë pjesë të rutinës së tij të përditshme.
“Këto garat janë shumë të bukura për mua, se fëmijët e tjerë mund të mos e pëlqejnë. Por këto garat kanë një shpejtësi që më jep adrenalinën dhe më pëlqen. Në gokarting duhet të jesh fit dhe të trajnohesh gjithmonë, sidomos qafën dhe duart që të mos të lodhen dhe koka të mos lëvizë majtas-djathtas që të mos dëmtohesh,” tha ai.
Për trajnimin e talenteve të reja ka nevojë edhe për shumë mbështetje, pasi për trajnerin e tij Armand Zaçe ky është një sport i kushtueshëm, që nuk mund të përballohet vetëm nga familja.
Për trajnerin, një nga veçoritë që e bën Rohanin talent në moshë të vogël është aftësia e tij për të lexuar pistën e garës.
“Rohani stërvitet çdo ditë, e çojmë edhe në Itali, edhe pe ka goxha kosto. U zbulua si talent kur erdhi për të bërë karting. Rohan ka të veçantë se lexon pistën dhe nëse nuk mban mend pistën nuk mund të ecësh shpejtë. Kur e çuam në Greqi pam që arriti afër rekordit të pistës dhe aktualisht jemi duke e çuar vetëm në Itali që stërvitet, ka pak më shumë se dy vite që stërvitet. Kjo është një nga portet më të shtrenjta që duhet të investosh shumë në trajnim. Stërvitja është e ndryshme me pista të ndryshme, ku të përballesh me pista të ndryshme dhe të mësosh si të reagosh dhe ruash shpejtësinë. E rëndësishme është edhe dëgjimi i trajnimit, duhet të dëgjojmë më vëmendjen se çfarë na thonë. Ky sport ka kosto të mëdha dhe duhen sponsor në mënyrë që talentet të trajnohen dhe mbështetën siç duhet,” u shpreh kryetari i Shoqatës Shqiptare të Kartingut, Armand Zaçe.
/rtsh.al/