Prokuroria e Posaçme ka zbuluar dhe goditur një rrjet ndërkombëtar të trafikimit të kokainës, i cili operon midis Amerikës Latine dhe Europës. Pas një hetimi intensiv i nisur që në 2023, është bërë e mundur zbardhja e këtij rrjeti ndërkombëtar, ndërsa në pranga kanë përfunduar 10 persona, mes të cilëve 7 janë shqiptarë dhe 3 shtetas nga Amerika Latine.
Operacioni ka çuar në zbardhjen edhe të një laboratori të sofistikuar për përpunimin e kokainës, i vendosur në fshatin Qerekë, në Fushë Krujë. Pjesë e këtij trafiku për përpunimin e drogës kanë qenë edhe disa ambiente të tjera ndihmëse të vendosura në Tiranë dhe Durrës.
Sipas SPAK sasia e kokainës përzihej me lëndë të tjera të papërpunuara dhe më pas ajo çohej në laborator për t’u përpunuar dhe trafikuar në tregjet europiane.
“Janë sekuestruar gjithashtu sasi të konsiderueshme materiali të papërpunuara ku dyshohet se është përzier dhe fshehur lëndë narkotike, sasi kokaine, përzierës kimikë, objekte të specializuara për fshehjen e drogës, pajisje laboratorike, shuma parash dhe mjete transporti të përdorura për veprimtarinë kriminale”, njofton SPAK.
Hetimet zbuluan se personat e përfshirë në këtë rrjet trafiku kokaine përdornin një laborator dhe ambiente ndihmese për ekstraktimin e drogës, përpunimin e saj përpara se ajo të trafikohej në tregjet e destinuara.
Anëtarët e grupit kishin role të përcaktuara, duke përfshirë financues, transportues, përpunues, dhe shpërndarës. Sipas SPAK “të huajt ishin ekspertë të trajtimit të kokainës, ndërsa shqiptarët kishin krijuar një mekanizëm shumëdimensional të aktivitetit kriminal”.
“Kolumbianët dhe venezuelianët, të njohur për ekspertizën e tyre të thelluar në trajtimin dhe përpunimin e kokainës, ishin “ekspertët” që garantonin suksesin teknik të operacionit. Aftësia e tyre për të ekstraktuar kokainën nga materiale organike, si “lëkurat e bagëtive” e kthente drogën e papërpunuar në një produkt të gatshëm, të cilësisë së lartë, për tregun shqiptar dhe atë evropian. Ky bashkëpunim tregon jo vetëm përmasën ndërkombëtare të grupit, por edhe synimet e tij për të operuar në nivele të larta të organizimit dhe përdorimin e teknologjisë së avancuar në përpunimin e drogës”, njofton SPAK.
Laboratori i ngritur në Qerekë të Fushë Krujës dhe ambientet ndihmëse në Tiranë dhe Durrës, ishin vendosur në pika strategjike, pranë aeroportit dhe portit të Durrësit.
“Përzgjedhja e këtyre lokacioneve tregon qartazi një planifikim të kujdesshëm, ku distanca e afërt me nyjet kryesore të logjistikës kombëtare ishte një faktor kyç për funksionimin pa ndërprerje të këtij rrjeti kriminal. Rrjeti operonte në mënyrë të sinkronizuar, me çdo hallkë të përcaktuar në mënyrë të detajuar. Ekspertët e huaj përqendroheshin në proceset teknike të përpunimit, duke shfrytëzuar aftësitë e tyre për të ngritur laboratorë të përpunimit të drogës. Ndërkohë, financuesit shqiptarë siguronin investimet, pajisjet dhe përbërësit kimikë. Transportuesit dhe përpunuesit lokalë luanin rolin e tyre për të siguruar lëvizjen e sigurt të drogës dhe pajisjeve, ndërsa shpërndarësit kishin detyrën për ta futur drogën në tregjet e destinuara”, njofton SPAK.
Në analizën e brendshme të deritanishme të këtij hetimi, Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, e konsideron atë si një moment kyç në luftën kundër krimit të organizuar në Shqipëri.
“Ky hetim është dëshmi e qartë se SPAK është i përkushtuar për të ndjekur dhe goditur rrjetet kriminale që kërcënojnë sigurinë dhe drejtësinë në vendin tonë. Suksesi i deritanishëm i këtij procedimi penal tregon se bashkëpunimi ndërkombëtar dhe ekspertiza e brendshme janë çelësi për rezultate konkrete”, tha Dumani.
Ndërkohë, prokurori i çështjes, Adnan Xholi, theksoi rëndësinë e përdorimit të mjeteve të posaçme të hetimit në zbardhjen e këtij rrjeti.
“Ky hetim na ka treguar një model të ri dhe kompleks të trafikut ndërkombëtar të drogës, ku ekspertiza e huaj kombinohet me elementët lokalë për të ngritur një sistem të integruar kriminal. Goditja e këtij rrjeti është një sinjal i fortë për të gjithë ata që mendojnë se mund të operojnë të pandëshkuar”, u shpreh ai.
Të arrestuarit janë:
Shtetas shqiptar:
G.S., 42 vjeç, banues në Tiranë
K.B., 40 vjeç, banues në Tiranë
A.Ç., 37 vjeç, banues në Tiranë
E.S., 25 vjeç, banues në Krujë
A.Z., 37 vjeç, banues në Tiranë
I.A., 51 vjeç, banues në Shkodër
B.H., 57 vjeç, banues në Durrës
Shtetas të huaj:
H.L.N., 41 vjeç, shtetas kolumbian
J.R.V., 35 vjeç, shtetas venezuelian
S.A.S., 42 vjeç, shtetas venezuelian
Provat e sekuestruara përfshijnë:
Material të papërpunuar prej 48 tonësh (rreth 850 lëkurë gjedhi) ku dyshohet se fshihet lëndë narkotike, të importuara nga Amerika Latine në shtator dhe nëntor 2024;
6.1 kg lëndë narkotike e dyshuar si kokainë;
36,270 euro, 357,046 lekë të reja dhe 57 milionë peso kolumbiane (afërsisht 12, 200 euro);
89.5 kg përzierës të ngurtë dhe 50 kg solucion të lëngshëm për përgatitjen e kokainës;
Pajisje për ngritjen e laboratorëve, si presa, axheton, epruveta qelqi, preparate kimike, mikrovalë, qese paketimi, dhe llampa nxehtësie;
22 telefona celularë, 2 laptopë, 7 karta banke dhe 17 karta SIM;
3 automjete të markave të ndryshme dhe dokumente të tjera të rëndësishme.
/rtsh.al/