RTSH 24 Live

Aktualitet

Kokaina fshihej në lëkurën e bagëtive/ Kolumbiani dhe dy venezuelianë “ekspertët” të përpunimit në laboratorin e drogës

3 orë para

Kokaina fshihej në lëkurën e bagëtive/ Kolumbiani dhe dy venezuelianë “ekspertët” të përpunimit në laboratorin e drogës

Prokuroria e Posaçme ka zbardhur detaje nga operacioni i zhvilluar mbrëmjen e kaluar në disa zona të vendit duke arritur të zbërthejë aktivitetin kriminal të një grupi të sofistikuar, ku përpunohej kokaina nga Amerika Latine në Qerekë të Fushë Krujës.

Shtetas nga Amerika Latine trafikonin në Shqipëri lëndë narkotike kokainë e cila përpunohej në laboratorin e ngritur në fshatin Qerekë të Fushë Krujës,  ku 10 persona ranë në pranga, 3 prej të cilëve nga vende të Amerikës Latine, 2 venezuelianë dhe 1 kolumbian.

Ky hetim intensiv, i zhvilluar për më shumë se një vit, zbulon se ekspertët e përpunimit të lëndës narkotike kishin ardhur nga Kolumbia dhe Venezuela të cilët bënin përzierjen e lëndës narkotike në Qerekë dhe më pas ajo hidhej në tregun vendas e atë europian. Bie në sy rruga si importohej droga nga Amerika Latine duke e fshehur në lëkurë gjedhi. Pas arkave me banane, trafikantët po përdorin skema të tjera trafikimi për t’i shpëtuar kontrolleve në dogana.

Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar material i papërpunuar prej 48 tonësh (rreth 850 lëkurë gjedhi) ku dyshohet se fshihet lëndë narkotike, të importuara nga Amerika Latine në shtator dhe nëntor 2024; 6.1 kg lëndë narkotike e dyshuar si kokainë; 36,270 euro, 357,046 lekë të reja dhe 57 milionë peso kolumbiane (afërsisht 12, 200 euro); 89.5 kg përzierës të ngurtë dhe 50 kg solucion të lëngshëm për përgatitjen e kokainës; Pajisje për ngritjen e laboratorëve, si presa, axheton, epruveta qelqi, preparate kimike, mikrovalë, qese paketimi, dhe llampa nxehtësie; 22 telefona celularë, 2 laptopë, 7 karta banke dhe 17 karta SIM; 3 automjete të markave të ndryshme dhe dokumente të tjera të rëndësishme.

Një nga aspektet më të veçanta të këtij rrjeti ishte përfshirja e ekspertëve nga Amerika Latine. Tre kimistët kanë ardhur nga shtete si Kolumbia dhe Venezuela.

“Kolumbianët dhe venezuelianët, të njohur për ekspertizën e tyre të thelluar në trajtimin dhe përpunimin e kokainës, ishin “ekspertët” që garantonin suksesin teknik të operacionit. Aftësia e tyre për të ekstraktuar kokainën nga materiale organike, si “lëkurat e bagëtive” e kthente drogën e papërpunuar në një produkt të gatshëm, të cilësisë së lartë, për tregun shqiptar dhe atë evropian. Ky bashkëpunim tregon jo vetëm përmasën ndërkombëtare të grupit, por edhe synimet e tij për të operuar në nivele të larta të organizimit dhe përdorimin e teknologjisë së avancuar në përpunimin e drogës”, thekson SPAK.

 

/rtsh.al/